Loading...

Zagoria/ Zonë mbresëlënëse e shtegtimeve dhe aventurave turistike malore

Mes vargmalesh të pushtetshëm, Shëndelli-Lunxheri-Bureto e Trebeshinë-Dhembel-Nëmërçkë, më të mëdhenjtë dhe më të lartët në Jug, Zagoria ngjan brenda kësaj kurore me një gur xhevahiri rrezëllitës dhe piktoresk nga të gjitha pikëpamjet. Një hijeshi marramendëse, që nga malet e lartë me atë radhoj shkëmbinj të ashpër e të murrmë në Bisej, Rapavicë, Kreher, ku zogjtë aq të bukur kanë bërë foletë në shkëmbinjtë e thepisur e, deri te lulja më e vogël e ndriçuar nga rrezet e diellit, mbushur nga magjia e kësaj natyre, shtojnë pasionin e mjaftueshëm për të ngopur oreksin e turistëve. Në brendësi, pllaja e ara si peceta dore e kopshte me dhera buke e pranë ujërave, oaze të gjelbra me pemë e bar, të kërcënuara gjithmonë nga shirat e era e shpesh me arën e mbjellë u hipën përroi i nevrikosur dhe e çan mes përmes.

Këtu, sa ngrohtësia e rrezeve të diellit korrikut, ngroh dhe zemra e zagoritit. Jeta këtu i ka damarët e trashë dhe kallot e ngurta. Herë-herë jeta është e kursyer e lëkundet në fije të barit të thatë, herë-herë derdhet në shira piktoreske e gjelbërime fantastike, ku natyra ulet në qilima shumëngjyrëshe lulesh. Por gjithnjë ajër i pastër pranveror që të mbush kraharorin e që fryn si fllad parajse e dimrit era, era që ulërin si nëpër brigjet dhe humbellat e ferrit…

Krojet, gurrat dhe burimet e Zagories janë proverbiale. Të ftohta akull, të pastra e të kulluara zajeve. Pikërisht këto i kanë mbajtur lidhur zagoritet me vendlindjen. Gurra e Konckës, më e madhja në krahinë me dy lugjet e mëdhenj kishte aq shumë ujë sa ujiste të gjitha arat e fshatit deri afër lumit, në Sheshe të Mëdhenj apo deri në Murrize e Ahe. Tek Sheshi i Gurrës, edhe sot gjendet nën dhe kanali i veshur me pllaka e i lyer me një lëng të veçantë (si të gjithë ujësjellësit antikë) që e sillte ujët e pijshëm të gurrës mu në mes të fshatit. Gurra është jeta e fshatit, siç është Çalaku me atë ujë të rrallë e të lehtë, ose burimi i Arminxores. Pastaj gurra e bukur e Nivanit e krojet në Sheper, Ndëran, Topovë, Iliar e Zhej. Ndërsa burimet e Çajupit, anëve asaj fushe, që sikur e ka ndërtuar Perëndia me dorë midis maja malesh, janë një vlerë e paçmuar.

1964770_633246753390588_2032785144_nPër rreth burimeve, dhe kudo në Zagori, sidomos në Malin e Dhëmelit e të Rapavicës, gjenden masivet me kullotat nder më të mira në vend, dallohen për shumëllojshmëri të barërave e luleve.

Zagoria ka 10 fshatra të shtrira në faqet e maleve në dy anët e luginës. “Fshatra të vogla që mezi duken, ndërtuar në rrëzë të kodrave të gurëzuar si zogj në sqetullat e erës… “Dhjetë mjegulla në brinjë”, do t’i quante poeti Spiro Dede.

Zagoria, ndryshe nga krahinat e tjera në Shqipëri, është një krahinë me kuriozitet të veçantë qytetar. Zagoritët janë të parët në Shqipëri që rrahën kurbetet, dhe të parët që sollën civilizim në shtëpitë e tyre. Të urtë, të matur, dinjitoz, tradicionalë dhe strikt në zakone, qenë të parët që ndoqën shkollat brenda dhe jashtë vendit, duke nxjerrë figura të shquara në shumë periudha historike. Por qenë edhe të parët që kapën pushkën në të dy luftërat e fundit botërore dhe kazmën në periudhën e vështirë socialiste, duke qëndruar ballëlartë para kombit, para historisë.

24181895Zagoria është një krahinë e lashtë antike (jo emri i saj). Një dokument i vitit 1826 thotë se më 1431 Zagoria kish 3100 frymë. (Vini re diferencën prej 400 vjetësh). Më 1939, pra 500 vjet më vonë, afërisht kishte po kaq. Më 1981, 1565 banorë, pra, më pak se gjysma e 500 vjetëve shkuar. Sot në Zagorie, të regjistruar figurojnë 1280 banorë, faktikisht janë më pak se çereku i tyre. Kjo ikja e fundit e viteve ’90 ka qenë nga ikjet më të mëdha historike.

Monumente të Natyrës

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 676, date 20. 12. 2002 disa nga Monumentet e Natyrës në territorin e Zagorisë janë:

Rrapi i Shkollës, Sheper

Ndodhet në qendër të fshatit Sheper të komunës Zagorie. Dallohet për formë rrethore të rregullt të kurorës. Ka moshë 250 vjeçare, një gjendje të mirë vegjetative dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike etj.

Rrapet e Nivanit

Ndodhen në juglindje të fshatit Nivan të komunës Zagorie, në lartësinë 850 m mbi nivelin e detit. Dallohen për formë rregullt të kurorës. Janë të lartë mesatarisht 25 m, ndërsa lartësia maksimale 27 m. Kanë moshë 150-180 vjeçare.

Rrapi i Ndëranit

Ndodhet në qendër të fshatit Ndëran në lartësinë 900 m mbi nivelin e detit. Dallohen për formë të rregullt ombrellore të kurorës. Ka moshë 500-vjeçare. Ka gjendje mesatare vegjetative dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike etj.

Vënjat e Konckës

Ndodhen në afërsi të fshatit Konckë, të komunës së Zagorisë, 1100 m mbi nivelin e detit. Përbëjnë drurë me trung dhe kurorë të veçantë (piramide), me lartësi 15 m dhe diametër të trungut rreth 16 cm dhe moshë mbi 100 vjeçare. Janë bimë të rralla dhe në rrezik zhdukje. Druri i tyre përdoret për prodhimin e temjanit.

Lisat e Manastirit Nivan

Ndodhen në poshtë fshatit Nivan të komunës Zagorie, në lartësinë 710 m mbi nivelin e detit. Dallohen për formë rregullt të kurorës. Kanë moshë 200 vjeçare. Kanë gjendje mesatare vegjetative dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike etj.

Bredhi i Zhejit

Bredhishtja e Zhejit shtrihet në lartësitë 500-1900 m nga niveli i detit. Sipërfaqja është rreth 1500 ha dhe shtrihet përballë Fushës së Çajupit. Kati drunor i pyllit përfaqësohet nga formacione te bredhit të Maqedonisë, nënpylli përfaqësohet nga shkoza, dëllinja, mëlleza. Është relativisht i ruajtur mirë dhe përfaqëson pjesë të rëndësishme të biodiversitetit të Shqipërisë Jugore.

Pylli i Gurtë, Ndëran

Gjendet në afërsi të fshatit Ndëran, 1000 m mbi nivelin e detit, në frontin e tarracës homonime. Përfaqëson gurë me forma shpesh të çuditshme dhe afër njëri-tjetrit, sa të lënë përshtypjen e një pylli të dendur, nga ku edhe emri “Pylli i Gurtë”. Nën modelimin e erës dhe të erozionit janë krijuar forma të veçanta të gurëve. Ato janë të larta deri në 2 m dhe të gjerë disa dhjetëra centimetra. Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike), didaktike, kulturore dhe turistike. V

Tarraca e Ndëranit

Ndodhet në krahun e majtë të lumit të Zagorisë, në afërsi të fshatit të Ndëran. Përfaqëson një fragment tarrace lumoro-deluviale, të formuar nga lumi i Zagorisë në formën e një tarrace të nivelit të tretë, në shpinën e së cilës janë depozituar deluvione dhe koluvione të ardhur nga shpati lindor i malit të Lunxhërisë dhe nga materiale fluvioglaciale të ardhur nga cirqet e lartësive të këtij mali. Është e gjatë rreth 1000 m dhe e gjerë rreth 200 m. Mbi këtë tarracë është zhvilluar një ekosistem i veçantë dhe interesant, që përfaqësohet nga një pyll i përbërë nga lajthitë e famshme të Zagorisë.

Gurra e Nivanit

Ndodhet në fshatin Nivan të komunës së Zagorisë, në rrëzën perëndimore të malit të Dhëmbelit, në lartësinë 950 m mbi nivelin e detit. Përbën një burim karstik, që dallohet për prurjen konstante gjatë gjithë vitit. Ka ujë të pastër dhe të ftohtë dhe krijon një mjedis shumë tërheqës përreth.

Shkëmbi i Zheit

Gjendet në afërsi të fshatit të Zheit të komunës së Zagories, 1300 m mbi nivelin e detit. Është i gjatë 200 m, i gjerë 100 m dhe i lartë 500 m. Në shpatet e tij të thepisura kanë folenë pëllumbat e egër, skifterët dhe shqiponjat.

Vrimat e Konckës

Ndodhen në afërsi të fshatit Konckë, të komunës së Zagories. Karsti ka krijuar këtu një peizazh interesant karstik me një mori formash negative, që u ngjajnë hojeve të bletëve. Mbetet që të kryhen hulumtime të kujdesshme dhe të detajuara për të evidentuar shpella karstike, të cilat duhet të jenë të pranishme dhe vlera të tjera të veçanta të peizazhit karstik.

Monumente abiotike natyrore

Zagoria ka disa vende, të cila kanë shërbyer për grumbullime në festa e takime. Të tilla janë sheshet si ai Pleshës në Hoshtevë, Sheshi Karrozit në Nivan, i Shqezës në Nderan, etj. Janë të rëndësishëm edhe institucionet e kultit si, manastiri i Nivanit, kisha në Hoshtevë, Konckë, etj. Zagoria është vend ku janë te përhapura shpellat karstike, përmendim shpellën e Hosit në Sheper, atë të Milarisë në Ndëran. Kanë rëndësi burimet dhe guvat karstike që janë pothuajse në çdo fshat.

 

Inxh. Klenathi Mandi/Drejtues i Shoqatës Mjedisore “Çajupi”

Inxh. Gjon Fierza/ Specialist, Agjencia Kombëtare e Mjedisit

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com