Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar prokurorin Bujar Hoti. Ku ka qenë vendimi i dhënë sot për prokurorin e apelit në Durrës, që ishte njëherësh dhe kandidat Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Hotit i janë gjetur një sërë shkeljeshnga ana e ONM-së, ku ka pasur dhe një diskutim mes prokurorit dhe përfaqësuesit Theo Jacobs.
Çfarë ndodhi në seancën e së enjtes:
“Ju ia keni dalë të konvertoni aktivitete ekonomike të thjeshta në procedura shumë të komplikuara,” tha Jacobs, duke iu referuar transaksioneve dhe kontratave të shumta të përdorura në blerjen e disa aseteve nga Hoti dhe bashkëshortja e tij notere. “A nuk ka ardhur koha të filloni të tregoni të vërtetën?” e sfidoi ai prokurorin.
Prokurori Bujar Hoti i është nënshtruar procesit të vetingut me precedencë për shkak të kandidimit të tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Procesi i rivlerësimit ndaj tij ka përfshirë të tre kriteret e vetingut; pasurinë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.
Relatorja e çështjes, Brunilda Bekteshi nënvizoi se si pjesë e procesit të rivlerësimit kalimtar, KPK kishte administruar raportet mbi prokurorin Hoti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit Kontrollit të Pasurisë dhe Konflikit të Interesit, Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar dhe grupi i punës në Prokurorinë e Përgjithshme.
Gjatë seancës, Hoti është asistuar nga avokati Julian Mërtiri.
Raporti i ILDKPKI për prokurorin Bujar Hoti shkruan se subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të saktë dhe sipas ligjit, nuk ka bërë fshehje pasurie, ka burime të ligjshme dhe nuk ka konflikt interesi. Raporti DSIK-së shprehet se prokurori nuk ka kontakte të papërshtatshme, ndërsa grupi i punës në Prokurorinë e Përgjithshme shprehet se ai është i aftë profesionalisht.
Për sa i përket kriterit të vlerësimit të pasurisë, Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit ka ndërmarrë një hetim të pavarur, duke u përqendruar në një numër asetesh të luajtshme dhe të paluajtshme të blera gjatë viteve nga subjekti dhe bashkëshortja e tij me profesion notere në qytetin e Durrësit.
Sipas relatores Bekteshi, KPK ka marrë në shqyrtim pasuritë e deklaruara në deklaratën “veting”, ku përfshihen një apartament 157 m2, me një shtesë prej 30 m2 dhe vlerë të deklaruar 4.4 milionë lekë; një automjet Audi A4 me vlerë 585 mijë lekë, me burim shitjen e një automjeti të mëparshëm; tokë bujqësore me sipërfaqe 4 mijë metra katrorë në fshatin Fllakë, të përfituar nëpërmjet ligjit 7501; zyrë noterie me sipërfaqe 41 m2, plus shtesë 37 m2 me vlerë 2 milionë lekë. Gjithashtu u mor në shqyrtim apartamenti me sipërfaqe 85.4 m2 në plazhin e Durrësit me vlerë 93,940 euro, financuar me kredi bankare 70 mijë euro dhe shitja e një apartamenti në vitin 2005 me vlerë 2 milionë lekë.
Gjatë viteve 2003 -2016, prokurori Bujar Hoti ka pasur të ardhura 22 milionë lekë dhe bashkëshortja e tij të ardhura 44 milionë lekë. Ata aktualisht kanë një kredi overdraft prej 770 mijë lekësh nga Banka Raiffeisen dhe një kredi 9.1 milionë lekë nga banka Intesa San Paolo.
Gjatë periudhës së deklarimit nga viti 2003 deri në vitin 2016, subjekti ka deklaruar shpenzime shkollimi për fëmijët në kolegjin Turgut Ozal me vlerë 3.7 milionë lekë dhe shpenzime shkollim në Oxford, Angli me vlerë 13700 paund për vitin 2015 dhe vitin 2016.
Sipas relatores Bekteshi, sa i përket apartamentit me sipërfaqe 157 m2 + 30 m2 shtesë, subjekti ka deklaruar në deklaratën periodike të vitit 2004 se ky apartament është me vlerë 70 mijë euro. Kontrata e lidhur me kompaninë ndërtuese për këtë apartament sqaron se marrëveshja përfshin një apartament me sipërfaqe 157 m2 dhe një garazh dhe këstet përfshijnë një pagesë cash me vlerë 20 mijë euro dhe dy pagesa me bankë me vlerë respektive 40 mijë euro dhe 8 mijë euro. Në total, këto këste bëjnë 68 mijë euro. Subjekti ka deklaruar se ka paguar dhe një kapar prej 2 mijë eurosh, por për të cilën nuk ka dokumentacion të ligjshëm. Sa i përket shtesës prej 30 m2 ai pretendon se është ndërtuar në vitin 2007 kundrejt një kostoje prej 1.4 milionë lekë.
Sipas KPK-së, hetimi administrativ i thelluar ka zbuluar se çmimi i deklaruar i blerjes së apartamentit 157m2 në qytetin Durrësit është fiktiv. Subjekti nuk provon me dokumente ligjore pagesën e bërë prej 1.4 milionë lekë për shtesën 30 m2 dhe gjithashtu ai nuk ka pasur burime të ligjshme financiare për këstin e paguar cash prej 20 mijë euro në vitin 2004. Në përgjigjet e tij për KPK, prokurori Hoti është shprehur se nuk e ka bërë pagesën e këstit të parë 20 mijë euro sipas kontratës. Noterja që ka noterizuar kontratën, në deklaratën e dhënë për KPK e ka konfirmuar pagesën prej 20 mijë, por 8 ditë më vonë, në një deklaratë noteriale për subjektin është shprehur se nuk e mban mend pagesën cash prej 20 mijë eurosh në favor të firmës ndërtuese.
Për sa i përket tokës bujqësore me sipërfaqe 4 mijë m2 të përfituar sipas ligji 7501, KPK shprehet se subjekti nuk i plotëson kushtet për të përfituar tokë bujqësore, pasi që nga viti 1986 ka punuar në qytetin e Lushnjes si hetues dhe jo në fshat, si dhe nuk ka punuar kurrë në ndërmarrje bujqësore – dy kushtet për përfitimin e tokës sipas ligjit 7501. Në përgjigjen e tij për KPK, subjekti shprehet se ka jetuar “de facto” deri në vitin 1991 në fshatin Qerret dhe pretendon se ka bërë stazhin universitar në vitin 1981 në ndërmarrjen bujqësore të zonës.
Në vitin 2007, personi i lidhur- bashkëshortja Albana Hoti ka deklaruar blerjen e një apartamenti 1 +1 me sipërfaqe 41 m2 me vlerë 2 milionë lekë, i cili është konvertuar në zyrë pasi i është bërë një shtesë prej një dhome dhe një banjoje me vlerë 775 mijë lekë. Sipas KPK-së, për shtesën e bërë në apartament, personi i lidhur ka marrë vetëm një leje për ndryshim destinacioni në zyrë nga bashkia e Durrësit dhe në vitin 2015 ka aplikuar për legalizim pranë ALUIZN-it. Shtesa e apartamentit nuk është deklaruar në deklaratën periodike të vitit 2008. Për blerjen e apartamentit, bashkëshortja e subjektit nuk ka paguar pronarët e apartamentit të konvertuar në zyrë, por një firmë ndërtimi ku pretendon se i ka porositur një prej pronarëve një apartament me sipërfaqe 119 m2 me vlerë 2 milionë lekë. Sipas KPK-së, ka fiktivitet në shlyerjen e vlerës së këtij apartamenti dhe shtesës.
KPK ka ngritur pikëpyetje dhe për apartamentin me sipërfaqe 85.4 m2 në plazhin e Durrësit me vlerë 93.940 euro dhe kosto 1100 euro për metër katror. Për këtë apartament, subjekti ka deklaruar se ka bërë 2 pagesa në vitin 2007, një pjesë cash me vlerë 23 940 euro dhe një pagesë me bankë prej 70 mijë euro – kjo e fundit e siguruar me kredi nga NBG Bank. Të dhënat e sigurura nga KPK tregojnë që kontrata me NGB Bank është lidhur për dy apartamente dhe jo për një apartament. Pagesa prej 23940 euro supozohet që është bërë me kursimet nga një apartamenti i shitur në vitin 2005 me vlerë 2 milionë lekë dhe pjesa tjetër nga kursime. Sipas KPK-së, gjendja cash nga viti 2005 nuk është deklaruar në deklaratën periodike të viti 2005. Për sa i përket ndryshimit të numrit të apartamenteve në kontrata, subjekti ka deklaruar se ka qenë një lapsus i bankës. Pasi është marrë kredia me vlerë 68.750 euro nga banka NBG, ajo është transferuar në llogarinë personale të shtetasit S.H, që ishte aksioner i kompanisë ndërtuese të apartamentit nga ku është tërhequr cash. Në këtë transaksion, KPK ka identifikuar çmime dhe veprime fiktive nga subjekti. Ndërkohë që çmimi i blerjes së apartamentit rezulton sa dyfishi i vlerës së tregut.
Nga analiza financiare e kryer e të ardhurave dhe shpenzimeve ka rezultuar se subjekti ka një balancë negative në vitin 2007 në vlerën 4 milionë lekëve. Nga analiza financiare gjithashtu ka rezultuar një balancë negative për vitin 2010 në vlerën 294 mijë lekëve. Në këtë balancë përfshihen 2 udhëtime të bashkëshortes në SHBA dhe Austri, për të cilën ajo është shprehur se janë paguar respektivisht nga e motra dhe Dhoma e Noterisë, pretendime për të cilat nuk ka paraqitur dokumente.
Gjithashtu, nga hetimi ka rezultuar se në vitin 2012, bashkëshortja e subjektit ka blerë një automjet tip “Nissan Juke” me vlerë 16 900 euro, për të cilën nuk është deklaruar një pagesë prej 6900 eurosh e bërë në vitin 2013. Ndërkohë në vitin 2007, është deklaruar shitja e një autoveture “Opel Astra” me vlerë 500 mijë lekë e cila nuk është deklaruar më parë. Për këtë automjet, subjekti ka deklaruar se është blerë nga bashkëshortja në vitin 2005 për 500 mijë lekë dhe shitur për të njëjtën vlerë në vitin 2007. Ai ka shtuar se ky aset nuk është deklaruar në deklaratën periodike të vitit 2005 për shkak të neglizhencës, por nuk ka pasur qëllim fshehje pasurie.
Pas paraqitjes së një tabloje të gjatë shkeljesh të konstatuara nga subjekti, relatorja u shpreh se KPK i kishte kaluar prokurorit Hoti barrën e provës. Mbrojtja e prokurorit në seancë u bë nga avokati Julian Mërtiri. Në fjalën e tij, avokati Mërtiri u shpreh se pagesa cash prej 20 mijë euro për apartamentit 157 m2 në Durrës nuk ishte realizuar, për shkak se nga kontrata ishte hequr porosia e një garazhi, ndërkohë që apartamenti ishte marrë në dorëzim karabina. Mërtiri deklaroi se edhe pse ka pasur mospërputhje në deklaratat periodike të viteve 2004, 2005, 2006, 2007 dhe deklaratës “veting”, këto mospërputhje nuk përbënin fshehje pasurie por kishin ardhur nga natyra e vendosjes së këtij aseti, dmth si pasojë e marrjes së tij në dorëzim karabina. Ai insistoi se burimet financiare për banesën dhe shtesën prej 30 m2 në Durrës ishin të ligjshme. Avokati gjithashtu tha se mosdeklarimi i automjetit tip Opel Astra në vitin 2005 ishte shkak i nxitimit në plotësimin e deklaratës periodike. Ai shtoi se sipas analizës financiare të bërë nga subjekti, ai ka pasur të ardhura të mjaftueshme për pasuritë e vendosura dhe shpenzimet në vitet 2004, 2007 dhe 2010. Ndërkohë që insistoi se marrja e tokës bujqësore prej 4 mijë metrash katrorë bazuar në ligjin 7501 ishte e ligjshme.
“Nëse burimi i aseteve është i ligjshëm, ai prevalon mbi pasaktësitë në deklarim sepse nuk ka qëllim kriminal,” tha Mërtiri. “Në të gjitha parashtrimet është vërtetuar që burimi i të ardhurave ka qenë i ligjshëm,” shtoi ai.
Ky pretendim i avokatit u vu në diskutim nga pyetjet e bëra nga relatorja e çështjes Brunilda Bekteshi, kryesuesi i seancës, Luan Hamitaj dhe përfaqësuesi ONM-së, Theo Jacobs. Ky fundit ishte dhe më i ashpër ndaj prokurorit, duke e akuzuar drejtëpërdrejt se po gënjente. Jacobs shtoi se justifikimet e prokurorit dhe të bashkëshortes – të dy juristë me eksperiencë, se tre kontrata të ndryshme të nënshkruara brenda 1 dite ishin të tilla si rrjedhojë e lapsuseve, nuk i tingëllonin të vërteta.
“Jam unë i vetmi që e gjej këtë fakt të çuditshëm?” pyeti Jacobs. “Ka ardhur koha të thuash të vërtetën,” përsëriti disa herë ai.
Prokurori Hoti dhe avokati Mërtiri u munduan të përgjigjen. Mërtiri nënvizoi se përfaqësuesi i ONM-së duhej të kuptonte se ato që atij i dukeshin çudira, ishin pjesë të realitetit shqiptar. Megjithatë, përgjigja e avokatit dhe e subjektit nuk e bindi prokurorin belg.
Në fund të seancës, kryesuesi Luan Hamitaj i dha fjalën subjektit i cili kërkoi konfirmimin në detyrë.
“Kam 32 vjet që punoj si prokuror dhe gjatë gjithë e jetës e kam bërë punën me përkushtim, kam përvojë në të gjithë rrethet e vendit dhe nuk kam pasur asnjë vërejtje,” tha Hoti. “Kërkoj konfirmimin në detyrë,” shtoi ai./korrieri