Avokati i njohur shqiptar Spartak Ngjela, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Ngjela në një postim në Facebook, ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, me vizitën e tij në Drenicë, deshi të fyente luftën çlirimtare të Kosovës, mirëpo sipas tij, burrat e Kosovës, nuk e lejuan këtë gjë.
Duke komentuar deklaratën e kancelares gjermane Angela Merkel se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, avokati ka thënë se Vuçiq i ndikuar nga kjo, i ka telefonuar nga Mitrovica presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.
“Rexhep, po na i marrin shqiptarët të gjitha tokat e tyre që ju na i dhatë që nga viti 1878 e deri në vitin 1913”. Po cila mund të jetë ndihma që do t’i japë Erdogani? Kuptohet: mbështetjen e Ramës dhe të Thaçit”, ka shkruar Ngjela, duke zbuluar kështu bisedën mes presidentit turk dhe atij serb, i cili ka qëndruar qe dy ditë në territorin e Kosovës.
Ai më tej ka theksuar nevojën e aktivizimit të emigracionit shqiptar në Perëndim për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët sipas tij, janë në rrezik të shpërbërjes nga Moska, Beogradi dhe Stambolli.
Ai është shprehur i bindur se ringritja e historisë së Shqipërisë, do të shkojë deri në albanizmin real të Ballkanit Perëndimor.
Reagimi i plotë i Spartak Ngjelës:
Shqiptarë, rrini të qetë! Kosova ka ende burra.
Vuçiç nuk u lejua të shkojë në Drenicë. Ai donte të fyente luftën çlirimtare të Kosovës.
Por burrat kosovarë i treguan vendin. Ata i thanë: “Zoti Vuçiç, Adem Jashari është ende gjallë, kurse këta shqiptarë, që të perjargen ty, janë pilivesa…”
Angela Merkel në Shkup, me fjalën e saj, e shkatërroi përfundimisht planin ogurzi të ndarjes së Kosovës.
Esadistët në Tiranë dhe në Prishtinë, sigurisht që janë në hall të madh, se menduan që me ndarjen e Kosovës të krijonin shpërbërjen e dy shteteve shqiptarë me destabilizim.
“S’ka ndarje!” – tha shefja e madh e e Europës.
“FJALA e saj është ligj”, tha Vuçiç nga liqeni i Kosovës, por me zë të drobitur.
Vuçiç nga Mitrovica merr në telefon Erdoganin në Stamboll.
E dini cili është nënteksti i kësaj bisede?
“Rexhep, po na i marrin shqiptarët të gjitha tokat e tyre që ju na i dhatë që nga viti 1878 e deri në vitin 1913”.
Po cila mund të jetë ndihma që do t’i japë Erdogani?
Kuptohet: mbështetjen e Ramës dhe të Thaçit.
Po kush i pyet këta në Shqipëri!
Po të shohim tani dhe diçka: si do të precipitojnë ngjarjet?
Sigurisht në favor të botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Në Selanik ka trazira për emrin e ri të Maqedonisë, kurse politika shqiptare në Shkup është memece. Se është e korruptuar.
Blejini! Thosh kryeministri serb për krerët e shqiptarëve, në fillim të shekullit të XX-të. Dhe i blenë.
Por ajo që bie negativisht sot në sy, është fakti që emigracioni shqiptar në Perëndim edhe pse i ka sytë nga Shqipëria dhe nga Kosova, nuk është aktiv. Sot në emigracionin shqiptar në Perëndim ka njerëz me vlerë, po nuk janë aktivë. Sepse siç duket nuk e kanë të qartë se çfarë po ndodh.
Duhet të imitojnë shqiptarët e mëdhenj të Rilindjes Kombëtare që krijuan shoqata dhe komitete në Europë, në Amerikë, madje edhe në Egjipt, dhe e shpëtuan Shqipërinë nga likuidimi tërësor.
Sot është e njëjta situatë si atëherë, sepse prapë janë bërë bashkë Moska, Beogradi dhe Stambolli për të shpërbërë Shqipërinë.
Këta po i tremb shumë bota shqiptate në Ballkanin Perëndimor, dhe janë hedhur në sulm me esadistët në Tiranë dhe në Prishtinë, kundër bashkimit shqiptar.
Por dita e sotme ishte një fakt i ri për ringritjen e historisë së shqipërisë, e cila ka filluar në vitin 1999, dhe duhet të shkojë deri në albanizmin real të Ballkanit Perëndimor.