Nga cikli : “ Mjeshtrat tanë” *
AXHIU I DAPAJVE
-me mjeshtrin e drurit Axhi Dapaj-
Ka vetëm tremëdhjetë vite që ka lënë vendlindjen, Golimbasin, dhe ka ardhë në qytet, në një nga lagjet e reja në periferi të Vlorës. Fillimet e punës me dru i ka si marangoz, madje si ndihmës në një nga zdrukthtaritë e qytetit.
Në fshat i kishte dalë nami që ç’ja shihte syri, ja bënte dora por prapë e brente meraku i përshtatjes me tregun e gjerë.
Ashtu punoi me dyer e dritare, me dhoma gjumi e sallone por më tej, brenda vehtes , e ngacmonte një pasion i fshehur për tjetër krijimtari. Sa artistike po aq edhe tradicionale.
Siç na thotë Axhi Dapaj, sa herë i delnin përpara syve ato punime apo realizime që në kohë të shkuara, ndonëse me mundësi të kufizuara mjetesh punuese, mjeshtra të punës me dru apo ustallarë të vjetër kalonin nëpër fshatra e bënin gjithfarë enësh për bulmetra apo ujë, raki e verë.
Këto mendonte kur vendosi ti futej punës me dru në një ambjent të krijuar enkas pranë banesës së tij.
E nisi punën me sende të thjeshta, me vazo për mbajtjen e luleve zbukuruese, me bastune, vocka për ujë e më tej me dybekë, buciela, fuçi e enë për ujë, pije apo bulmetra.
Axhi Dapaj dalë ngadalë arriti të krijojë një koleksin të tërë prodhimesh me dru që do ti kishin zili edhe mjeshtra e profesionistë të njohur e me experience të madhe.
Të gjitha me dru, me thika e mjete artizanale të destinuara për punë me dru. Mes punëve të Axhiut gjen jo pak realizime për dekoracione por po kështu ka edhe mjaft prej tyre që janë edhe funksionale.
Bën dybekë për të rrahur qumësht e për tu ardhur në ndihmë fermerëve që merren me përpunimin tradicional të bulmetrave por tepër prktike e funksinale janë edhe bucelat apo vockat me disa lloj volumesh.
Duke parë nga afër punimet e Axhiut e para që të vjen në mendje është syri dhe dora e tij prej artisti popullor prej të cilave druri i zakonshëm merr forma, kthehet në art, në syvenire por edhe produkte artistike të lidhura me trashëgiminë tonë kulturore. Trashëgimi që vjen nga shekujt dhe që përmes Axhiut me shokë kalon nga brezi në brez.
Ashtu si dhe Axhiu që tani ka në krahë të birin, Redonin, i cili duket se ja ka marrë zanatin.
Madje emrin ka filluar ta gdhend edhe në mjaft punime të tij.
Koha që trashëgiminë, zanatet, ti vëmë në shërbim të ekonomisë dhe natyrshëm edhe në ruajtje të traditave tona sidomos në prodhimin e zejeve përmes ushtrimit të zanateve.
Vlora si një qytet me të ardhme turistike me siguri do të shoqërohet edhe me një treg të larmishëm syvenires ku pa dyshim ato që vijnë si traditë e përmes punës artizanale përherë do të jenë të dëshiruara.
………………………………….
*ky portret, ashtu si të tjerë më parë e të tjerë në vijim, publikohet në faqen time në Fb në kuadër të 29 shtatorit, “ Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, si inisiativë e DRTK-Vlorë.