Përpos zhvillimeve në politikë shtaotir do të ketë edhe zhvillime në procese gjyqësore që kanë bërë bujë në vendin tonë, një prej tyre është edhe ai i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahir. Pritet që në Itali të nisë procesi i rëndësishëm gjyqësor ndaj anëtarëve të bandës italo-shqiptar të narkotrafikantëve të vëllezërve Habilaj.
Pak javë më parë, bëri bujë lajmi se financieri i kësaj bande, shqiptari Nezar Seitaj i arrestuar në Shqipëri dhe i ekstraduar mes polemikave të shumta në Itali, ishte lënë “i lirë” duke i ndryshuar masën e arrestimit nga burg në arrest shtëpiak. Gjykata e Katanias ka konfirmuar këtë vendim, por sipas Ora News, deri më sot Nezar Seitaj vazhdon të qëndrojë në burg.
Masa e arrrestit shtëpiak do të aplikohet vetëm në momentin kur gjykata e Katanias do të vërë në dispozicion të të arrestuarit byzylykun elektronik që bën të mundur kontrollin e tij në distancë e moslargimin nga banesa. Por deri më sot bykylyku elektronik për të nuk ka ardhur e shqiptari Seitaj vazhdon të qëndroj në gjendje arresti me burg.
Ndryshimi i masës së arrestit për Nezar Seitaj nga Gjykata e Katanias u bë pas vlerësimit të kërkesës së avokatit të tij që pretendon në rolin dytësor e të parëndësishëm të klientit të tij në lidhje me aktivitetin e kësaj bande.
Seanca e procesit gjyqësor të bandës së Habilajve është konfirmuar të zhvillohet në Gjykatën e Katainas më datë 26 shtator e po me 26 shtator do zhvillohet dhe procesi gjyqësor ndaj Nezar Seitaj dhe pse nga mediat shqiptare pak javë më parë informohej se procesi ndaj tij do të ishte i ndarë nga anëtarët e tjerë të bandës Habilaj.
Seanca e parë gjyqësore ndaj bandës së Habilajve u mbajt në Katania më 31 maj të 2018, një seancë e shkurtër ku avokatët e të arrestuarve shqiptarë kërkuan gjykim të shkurtuar për klientët e tyre, kërkesë kjo e pranuar nga trupi gjykues.
Një ditë më parë më 30 maj, nje ekip prokurorësh shqiptarë morën në pyetje të gjithë të arrestuarit shqiptarë të bandës së Habilajve. E sipas burimeve të Ora Neës, marrja në pyetje nga prokurorët shqiptarë ka të bëjë me aktivitetin e tyre kriminal në Shqipëri. Në seancën e ardhshme të datës 26 shtator, pas parashtrimit të akuzave të prokurorëve, avokatët mbrojtës do të nisin me linjat e tyre mbrojtëse që pritet të zgjasin disa seanca.