Analisti Fatos Lubonja ka komentuar situatën politike në vend, Asambleja e Partisë Socialiste, dhe aksioni i opozitës. Në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në “News24”, Lubonja ka komentuar zërat e disa ditë më parë për ndryshime në qeveri, por që nga punimet e Asamblesë nuk rezultoi diçka e tillë.
Lubonja tha se:
“Që të bësh ndryshime në Qeveri do të thotë që të kesh bërë njëfarë analize për ndonjëfarë gabimi apo përgjegjësie gjatë qeverisjes. Ndërkohë që qeverisja e rilindasve me në krye Ramën, është refuzimi i çdo lloj gabimi, përgjegjësie, korrigjimi. Atëherë pyetja është pse duheshin këto? Doli kjo nga PS si nën zë, si për të thënë se ‘shiko, ne i pranojmë ca gjëra’, apo doli nga mediat si një dëshirë e publikut. Unë nuk e di pse duhej të largohej Gjiknuri apo Ahmetaj, sepse këta ishin dy ministrat më të përfolur, ndërkohë që nuk dimë për çfarë, ku është përgjegjësia e tyre. Pastaj u tha që ata i kishin thënë diçka Ramës, dhe ai nuk i hoqi. Në rastin më të mirë do të ishte të ndryshojmë gjithçka, për të mos ndryshuar asgjë, siç thotë një fjalë e urtë”.