Një lider jo domosdoshmërisht është një lojtar agresiv në fushë apo që gjatë gjithë kohës thërret në mënyrë histerike shokët e skuadrës, jo një lider mund të jetë edhe përgjithësisht i qetë por që me veprat dhe fjalët e tij tregon rrugën drejt suksesit.
Prej disa vitesh Thomas Strakosha nuk ishte më djali i Fotos, nuk ishte më një i rekomanduar pasi nuk ka qenë asnjëherë i tillë, gjithçka e ka fituar falë etikës së punës dhe këtë e konfirmojnë të gjithë tek Lazio, tashmë është ngjitur edhe një shkallë më lart në karrierë.
Për të kuptuar pjekurinë, jo vetëm sportive të tij mjafton të dëgjosh fjalët e thëna pas ndeshjes, fjalë që duket sikur kanë dalë nga një futbollist me përvojë të gjatë dhe jo nga një 23-vjeçar.
“Gabimet individuale janë pjesë e futbollit, rëndësi ka që luajmë si grup. Unë bëra vetëm detyrën, pasi për të pritur topa qëndroj në portë”, deklaroi portieri kuqezi pas takimit.
Strakosha ishte njeriu i mrekullive, pasi dy nga ndërhyrjet e tij nuk përfshihen mes pritjeve të zakonshme. E para ndaj Kayal ishte një miks mes instiktit, reagimit të shpejtë dhe vetëbesimit, ndërsa e dyta ishte e gjitha forcë karakteri për të besuar deri në fund, madje deri aty ku askush nuk besonte, shkruan “SS”
Me modestinë e një lideri ai do të thotë se ka bërë vetëm detyrën dhe në fakt është e vërtetë, pasi “superheronjtë” veprojnë gjithnjë në hije, larg reflektorëve dhe lejojnë që veprat e tyre të flasin për ta. Tomi sot është pa diskutim “superheroi kuqezi”.