Prokurorët e Krimeve të Rënda, mes tyre dhe drejtuesit e këtij institucioni, do të kalojnë në sitën e Vettingut. Janë 22 prokurorë që do t’i nënshtrohen këtij ligji, mes të cilëve edhe prokurorët e dosjeve të nxehta, siç është ajo e 613 kg kokaine në kontenierët me bbanane, prokurorët e 3.4 eurove të sekuestruara në automjetet “Toyota Auris”, apo prokurorët e dosjes në ngarkim të ish-eprorit të tyre Adriatik Llalla.
Institucioni i prokurorisë është njoftuar të përgatitë infrastrukturën dhe administratën për nisjen e hedhjes së shortit për prokurorët, ndërsa Report Tv ka mësuar se së shpejti do të hidhet edhe shorti, që do të përzgjedhë dosjet hetimore, të cilat do të vlerësohen për anën profesionale.
Më parë nga grupi i prokurorëve të Krimeve të Rënda ka kaluar në Vetting prokurori Genti Osmani. Osmani kaloi sitën e Vetingut, ndërsa pak ditë pas vendimit të KPK-s ishte komisioneri publik që propozoi ankimin duke i kërkuar kolegjit shkarkimin e tij.
Aktualisht prokuroria e Krimeve të Rënda drejtohet nga Donika Prela, e cila zëvendësoi në këtë post Besim Hajdarmatën. Me mbërritjen e Prelës në krye të Krimeve të Rënda në këtë institucion për hetim kaloi nga Durrësi dhe procedimi penal në ngarkim të ish-kryeprokurorit Llalla.