Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dje nga Elbasani ka propozuar katër pika, si kushte për mazhorancën, një prej të cilave e drejtuar kryeministrit, ishte Vettingu për politikën.
Një Vetting u shumëshpresuar i këtyre 30 viteve, një Vetting që duhet të përfshijë korrupsionin në politikë, por edhe lidhjet e politikës me krimin.
Në fakt akti i Bashës më shumë sesa një veprim politik për të pasur rezultate kontrete, duket se është një lëvizje për t’u kapur dhe për t’u mbajtur edhe pak kohë në politikë, pas rënies së fortë të kuotave të tij në opinionin publik. Por, përse e përmendim këtë argument?
Thjeshtë dhe vetëm për një fakt. Në qoftë se vërtetë do të ketë Vetting në politikë, trioja kryesore, tre drejtuesit kryesorë të partive politike në Shqipëri, pra Edi Rama, Lulzim Basha dhe Ilir Meta, jo vetëm që do të largoheshin nga politika, por do të përfundonin të tre pas prangave nëse do të kishim një Vetting të vërtetë. Por, le të shkojmë tek detajet:
A mund ta kalojë dhe ta pranojë Edi Rama Vettingun në politikë?
Edi Rama ka qënë kryetar i Bashkisë së Tiranës. Kujtojmë këtu dosjet voluminoze të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe shkeljet abuzive me lejet ndërtimore apo me tenderat. Kujtojmë këtu komisionin e famshëm “Olldashi” , i cili nxori zbuluar kryebashkiakun dhe dosja u mbyll në prokurori, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë me procedurë.
Përtej kësaj, kujtojmë se në politikë në vitin 2013 me firmën e Edi Ramës një tufë me banditë u bënë deputetë apo kryebashkiakë. Persona të dënuar dhe me lidhje të forta me krimin, kapobanda u përfshinë në politikë nga vetë kryeministri. Kjo do të mjaftonte që vetë Rama të largohej përfundimisht nga politika.
Por, pas Ramës ai që “digjet dhe përvëlohet” për Vetting është Lulzim Basha. Ky i fundit nuk do të kalonte dot asnjë Vetting, qoftë edhe më të voglin, për lidhjet e tij me bandat apo edhe me korrupsionin.
Këtu kemi parasysh disa detaje. Në zgjedhjet e vitit 2011, lidhjet e forta të krimit dhe lëvizjet sesi e mbështeten atë bandat në Tiranë, pa folur për vitin 2009, kur drejtonte qarkun e Elbasanit, ku një pjesë e atyre grupeve kriminale të cilat akuzohen sot kanë qënë mbështetës të drejtpërdrejtë të Lulzim Bashës në fushatë.
Pas kësaj po të shkojmë tek të ardhurat, tek korrupsioni do të jetë një problem i madh. Pa folur për moralin politik apo Vettingun politik, që ka tre ngjarje apo tre skandale historike në qeverisjen e PD-së, të treja të lidhura me Lulzim Bashën. Që nga korrupsioni me Rrugën e Kombit, për të shkuar më tej te marrëveshja për ujërat me Greqinë, e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e cila do të mjaftonte për ta nxjerrë Lulzim Bashën nga politika dhe pastaj detaji i tretë 21 janari. Lulzim Basha ka përgjegjësinë si ish-ministër i Brendshëm.
Pra, megjithëse është propozuesi ndaj atij të mësipërmit, Edi Ramës, vështirë se Lulzim Basha do ta kalonte Vettingun.
I treti në trion e politikës shqiptare është Ilir Meta. Ku ta fillojmë dhe ku ta mbarojmë.
Do ta fillojmë tek vjedhja e thesarit, do ta fillojmë tek akuzat e Fatos Nanos apo tek korrupsioni për blerjen e anëtarëve të KPD-së së Partisë Socialiste. Do të vazhdojmë tek skandalet me bllok në dorë, bashkë me ministrin e tij të ndjerë Dritan Prifti, videon me zë dhe figurë. Do ta vazhdojmë më pas me skandalet e ministrave të tij gjatë qeverisjes me Berishën apo me Ramën. Do të vazhdojmë më tej me abuzimin apo pasurinë e tij marramendëse, që nëse do të kalojë në Vetting, ashtu si edhe pasuria e Bashës dhe e Ramës, nuk do të kishte kurrë mundësi, sado hipokrit të ishte, sado për fasadë të ishte që ta kalonte. Prandaj, propozimi i Bashës për Vettingun e politikanëve duket qesharak. Atë Vetting nuk e kalon asnjë, ndoshta asnjë nga deputetët e parlamentit shqiptar.
Shumica e deputetëve të grupeve parlamentare, por edhe atyre që janë “elita” e kampeve drejtuese politike në Shqipëri përfundimisht do të largoheshin nga politika.
Prandaj ajo që bën Lulzim Basha, përgjigja e Edi Ramës, heshtja e Ilir Metës nuk është asgjë. Është thjeshtë muzika apo kënga e një trioje vokale që po përpiqet të gënjejë shqiptarët, siç ka ndodhur këto 30 vite.
Basha e bën për të qëndruar edhe pak kohë i qetë në karrigen e kryetarit dhe në politikë me një kauzë, Rama a thua se i “digjet” barku për Vetting dhe drejtësi në këtë vend, jo vetëm për politikanët, ka marrë “flamurtarin” e drejtësisë. Ilir Meta, nuk kemi çfarë të themi.
Të gjithë e dimë se çfarë janë që të tre. Të gjithë i njohim kush janë që të tre, prandaj ajo që bëjnë është më shumë sesa e neveritshme. Askush nuk i beson, askush nuk i dëgjon, askush nuk është më i vëmendshëm ndaj tyre.
Kjo për një arsye shumë të thjeshtë. Çfarë do lloj Vettingu që të bënte Rama, Basha apo Meta ky Vetting do të “priste” kokat e tyre. E përtej këtij Vettingu, e përtej propagandës mediatike apo lojërave të tyre politike, ky është rasti për të thënë “hajduti dhe krimineli thërrasin, kapeni hajdutin dhe kriminelin”.