Alket Muho 43 vjeç është gjetur i pajetë në të dalë të fshatit i ekzekutuar plumb pas koke dhe në gjoks. Ai u gjet nga familjarët në Gllavë të Memaliajt, në fshatin ku edhe jetonte.
Dyshimet e para lidhur me ekzekutimin e 43-vjeçarit lidhen me një sinjalizim të bërë nga ai disa ditë më parë te organet ligjzbatuese. Kohët e fundit, Muho informonte strukturat në Tiranë, pasi nuk gjente më mbështetje te policia lokale Vetëm dy ditë më parë në një fshat pranë zonës është kryer një operacion policor për shkatërrimin e disa parcelave me kanabis, ku dyshohet se ka qenë pikërisht viktima Muhaj që ka informuar policinë.
Operacioni anti-kanabis i datës 4 shtator, nuk është bërë i ditur nga policia, ndërsa thuhet se janë asgjësuar 8 parcela me lëndë narkotike, me rreth 4.800 bimë.
Nga këqyrja parapake e kufomës, ekspertët e policisë kanë vlerësuar se ai është qëlluar me breshëri automatiku.
“Në afërsi të fshatit Rabie, Memaliaj në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi A.M, 43 vjeç, banues në Rabie, Memaliaj. Menjëhere pas marjes së njoftimit në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor të cilët po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, thuhet në njoftimin e policisë.