Vlerësimi në treg i “Amazon”, gjiganti i shitjeve me pakicë në internet, kaloi nivelin e një trilionë dollarëve të martën, ndërkohë që vlera e kompanisë pësoi sot një rritje të ndjeshme në bursë.
“Amazon”, që është regjistruar në bursë në vitin 1997, është kompania e dytë amerikane që arrin këtë vlerë simbolike, pas “Apple” që e arriti muajin e kaluar. Ky sukses i “Amazon” e bën pronarin e saj Jeff Bezos, njeriun më të pasur në botë me një pasuri prej 164.7 miliardë dollarë, transmeton Telegrafi.
Por, drejtori ekzekutiv i kompanisë nuk ka qenë gjithmonë miliarder siç është sot. Ai ka lindur si djali i një 16-vjeçareje, dhe kurrë nuk kishte menduar se do të bëhet drejtor i njërës nga kompanitë më të suksesshme në botë.
Jeff Bezos ka lindur më 12 janar të vitit 1964, ndërsa emri i tij i plotë është Jeffrey Preston Jorgensen. Babai i tij biologjik, Ted Jorgensen ishte takuar me nënën e tij Jacklyn Gise, kur dyshja ishin nxënës të shkollës së mesme. Jorgensen ishte 18-vjeç, kurse Gise, 16, kur mbeti shtatzënë. Ata kishin udhëtuar në Meksikë me paratë e prindërve të tyre me qëllim që të martohen.
Babai i tij punonte në një dyqan ku fitonte 1.25 dollarë në orë, dhe kishte qejf të konsumon në sasi të madhe alkool. Këto pretendime i ka konfirmuar edhe gazetari Brad Stone në librin “The Everything Store: Jeff Bezos and the Age of Amazon”. Por, kur Jeff mbushi 17-muaj, prindërit e tij u shkurorëzuan.
Në vitin 1968, nëna e tij Gise u martua me Miguel Bezos i cili nga Kuba kishte mbërritur në Miami në vitin 1962, dhe dinte vetëm një fjalë në gjuhën angleze “hamburger”. Kështu babai i Jeffit u pajtua që njerku ta adopton, dhe nga emri Jeffrey Preston Jorgensen ta merr atë Jeffrey Preston Bezos. Sipas autorit të librit të lartpërmendur, fëmijëria e vështirë e Jeffit i ka kontribuar obsesionit për sukses.
“Fëmijëria e ka bërë që të jetë i etur për sukses dhe të shfaq ambiciet për lidership ngjashëm sikurse dy miliarderët tjerë Steve Jobs dhe Larry Ellison, që gjithashtu ishin adoptuar”, ka shtuar autori i librit Stone.
I won the lottery with my mom. Thanks for literally everything, Mom. pic.twitter.com/gEuVgxotdw
— Jeff Bezos (@JeffBezos) May 14, 2017
https://platform.twitter.com/widgets.js
Me kalimin e viteve Bezos u lidh emocionalisht shumë me gjyshin dhe gjyshen me të cilët i kalonte pushimet verore në fermën e tyre në Teksas, ku mësoi të rregullon mullirin me erë, të vaksinon lopët dhe të kryej punë tjera të fshatit.
Në shkollën e mesme talenti i tij u zbulua nga profesorët, ndërsa gjithmonë kishte ëndërruar që të bëhet fizikant. Por, disa vite më vonë derisa punonte si financier në New York, i lindi ideja e themelimit të kompanisë “Amazon”.
“Aty e kuptova se përdoruesit e internetit po rriteshin për 2,300 për qind çdo vit. Kurrë më parë nuk kisha dëgjuar apo parë që diçka po rritej aq shpejt”, ka deklaruar Bezos gjatë një fjalimi të mbajtur në Princeton në vitin 2010.
Asokohe ishte vetëm 30-vjeç dhe u martua me MacKenzie, të cilës ia kishte bërë me dije se do të heq dorë nga puna dhe të fillojë “punën e çmendur” që gjithmonë e kishte ëndërruar, edhe pse start-upat asokohe nuk kishin edhe aq shumë sukses. Por, ishte pikërisht gruaja e tij që e inkurajoi të vazhdojë të ndjekë ëndrrat e tij.
“Si i ri dhe ambicioz, fillova të shpik sende në garazhin tim, aty e prodhova portën e parë automatike të mbushur me beton dhe gomë, panelet solare dhe disa gjëra tjera. Gjithmonë më ka pëlqyer ideja që të shpiku diçka, kurse gruaja më ka ndjekur dhe përkrahur në çdo hap”, ka deklaruar Bezos.
Pasi e themeloi kompaninë “Amazon”, Bezos filloi të merret vetëm me shitjen e librave, por me kalimin e viteve gama e produkteve u zgjerua. Filloi me shitjen e CD-ve, dhe kështu i pyeste klientët se çfarë do të dëshironin të blinin online po të kishin mundësi.
“Kërkesat e klientëve më ndihmuan shumë. Ata filluan të kërkojnë fshesa të xhamit të veturës dhe pjesë tjera. Aty e kuptova se njerëzit kanë nevojë për gjëra të ndryshme”, ka shtuar Bezos.
“Amazon” filloi të zhvillohet me hapa të shpejt dhe Jeff fitoi epitetin e njeriut që industrinë e teknologjisë informative, arriti ta bëjë të popullarizuar në internet. Sukseset e tij nuk kishin të ndaluar, dhe kështu filloi të jetë aksionar në shumë kompani, njëra prej tyre është Nash Holding LLC, kurse në vitin 2013 bleu të përditshmen “Washington Post” për 250 milionë dollarë.
“Perandoria” e tij u zgjerua kur bleu kompani tjera si Zappos dhe Twitch, ndërsa shuma të majme të parave i ka investuar edhe në Twitter dhe Basecamp. Së fundmi ai ka themeluar edhe kompaninë “Blue Origin” që synon të zhvillon “turizmin” në hapësirë.