Autorët e ekzekutimit të Arjan Ferracakut ishin tre: njëri ishte mbi pemë duke vrojtuar situatën, ndërsa dy të tjerët e kanë qëlluar me breshëri, pjesa më e madhe në kokë. Kështu u shpreh gazetari Artan Hoxha lidhur me ekzekutimin mafioz të biznesmenit në Shkodër. Sipas Hoxhës, Ferracaku është vrarë gabimisht, pasi objektiv i autorëve ka qenë Asmer Bilali.
“E kemi paralajmëruar, kam bërë apel, kemi ndjekur ngjarjet, që nga vrasja e ish-policit Bercana situata doli jashtë kontrollit. Vrasja e Bërcanës dhe mënyra si u bë, krijoi një situatë të rëndë. Kemi 6 të vrarë dhe dy të zhdukur, këto janë bilanci shumë i rëndë. Asnjë nga këto ngjarje, nga ajo që ne e quajtëm lufta e Palermos, ne nuk kemi asnjë autor të zbuluar. Kjo është shumë e frikshme, kemi dy që kufoma, që janë të zhdukur dhe nuk e dimë. Nga hetimet është shumë e vështirë që të kemi një rezultat pozitiv dhe raste të tjera që të kemi raste në atë lloj mënyrë dhe nuk kemi asnjë të arrestuar apo identifikuar. Nuk dimë ekzekutorët dhe çfarë ka ndodhur në këtë qytet që ka instaluar në këtë situatë.
Në gusht kemi theksuar që ekuilibrat në Shkodër janë prishur, janë shumë të vështira për t’u kontrolluar. Ngjarja e fundit ishte vrasja e Ferracakut, që nuk ka asnjë precedent. Ishte një personazh që nuk kishte asnjë ngarkesë. Sepse në Shkodër kemi të bëjmë me grupe që nuk kanë dalë sot, që kanë qenë aty në mënyrë permanente. Atje nuk ka as PS, as PD, njëri nga ata është kryetar partie, ka qenë me të majtën është me të djathtën tani.
Ata po të gjetën gardhin hyjnë brenda. Nuk ka nevojë Shkodra të bëjmë politikë me krimin. Krimi nuk luftohet me konferenca. Vrasja e Arjanit krijoi një irritim të madh për atë që ai përfaqësonte. Ishte duke bërë hipizëm në periferi të Shkodrës me dy të afërt të vet, në distancë 100-200 metra ishin turistë nga Kosova. Në momentin që Ferracaku ishte me dy të tjerët mbi kalë, vijnë breshëritë e kallashit, fillimisht ka goditur në kofshë Ferracakun dhe kalin.
Më vonë autorët janë afruar dhe kanë goditur sërish, viktima është goditur me numër të madh predhash, është goditur nga dy, kanë qenë tre persona. Janë gjetur tre vendndodhje gëzhojash. Viktima është qëlluar në distancë të afërt, me pistoletë në kokë dhe në gjoks, ka shumë ngjarje në Shkodër që janë kryer në këtë mënyrë. Zakonisht kjo bëhet për t’ú siguruar. Ai është goditur shumë në kokë. Ishte mbi kalë i veshur. Fakti që është goditur nga afërt, ai ka qenë i mbaruar. “, deklaroi ai në emisionin Repolitix.
Sipas Hoxhës, ka dëshmitarë që i kanë njohur autorët, madje u dinë dhe emrat, por hezitojnë të flasin pasi kanë frikë për jetën e tyre.