Bashkim Dedja, kryetari aktual i Gjykatës Kushtetuese do të kalojë përmes “varrit për së gjalli” sikurse e ka përcaktuar ai vetë procesin e Vettingut.
Dedja e kaloi Vettingun kohë më parë pavarësisht problemeve të shfaqura me pasurinë, por do të rikthehet në pikën e nisjes pasi partnerët ndërkombëtarë SHBA dhe BE e duan me patjetër atë jashtë sistemit të drejtësisë.
Nëpërmjet përfaqësyeses së tyre në procesin e vettingut, OMN, ata kanë kërkuar ankimimin e Dedjes përmes komisionerit në Kolegjin e Posacëm të Apelimit, i cili e pranoi rishqyrtimin dhe njëherë të procesit.
Madje KPA ka bërë publikë emrat e trupës gjykuese që pritet të shqyrtojë së shpejti dosjen e kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, me mjaft probleme pasurie të evidentuara.
Sipas vetë njoftimit të KPA, “në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është regjistruar çështja (JR ) Nr. 10/2018, datë 31 korrik 2018 që i përket ankimit të Komisionerit Publik, kundër vendimit nr. 24, datë 13 qershor 2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit z. Bashkim Dedja.
Sot, në datën 4 shtator 2018, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, u hodh shorti për caktimin e trupit gjykues, kryesuesin e këtij trupi dhe relatorin e çështjes.Trupi gjykues i caktuar me short është i përbërë si më poshtë vijon: Kryesues: Ardian Hajdari; Relator: Luan Daci; Anëtarë: Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz”.
Pra zyrtarisht çështja pritet të shqyrtohet sa më shpejt në KPA, për të vendosur mbi fatin e kryetarit aktual të Kushtetueses, Bashkim Dedja, që bashkë me Vitore Tushën që e ka kaluar Vettingun zyrtarisht, përbëjnë dyshen e vetme të anëtarësisë në Kushtetuese. Pasi të gjithë anëtarët e tjerë të Kushtetueses ose janë dorëhequr ose kanë mbetur në “rrjetën” e Vettingut.
Burime brenda këtij Kolegji bëjnë me dije se që tani kanë filluar presionet për ta kaluar si të pastër Bashkim Dedjan. Dhe presionet janë nga ana e interlokutorëve të politikës, të cilët përcjellin dëshirën e qeverisë, presidencës por dhe opozitës që Bashkim Dedja të mos preket.
Burimi saktëson se KPA dhe në veçanti trupi gjykues i ngritur për të rivlerësuar Bashkim Dedjen është në një trysni të fortë dhe në një dilemë të jashtëzakonshme.
Kjo për shkak se ata gjenden mes kërkesës së partnerëve tanë ndërkombëtarë SHBA dhe BE që Bashkim Dedja të jetë jashtë sistemit të drejtësisë, pasi nuk mund të ketë drejtësi të re dhe të ndershme me të në krye të Kushtetueses.
Por ka dhe një presion në rritje të politikës, që e kërkojnë me ngulm Dedjan të dalë i “pastër” nga procesi i Vettingut për të qënë në krye të Gjykatës Kushtetuese.
Mbetet mister arësyeja e vërtetë e kësaj këmbënguljeje të kryeministrit, Presidentit dhe opozitës deri në përplasje me SHBA e BE, për të mbajtur në “lojë” kryetarin aktual të Kushtetueses./Pamfleti