Loading...

Faktet pse duhet shkarkuar Fatmir Xhafaj, lufta false e ministrit me bandat kriminale

Shqipëria është shndërruar në arenë lufte mes bandave kriminale e mafioze, ndonëse çdo dy muaj kemi dëgjuar ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, t’i shpallë luftë krimit të organizuar. Bandat po lulëzojnë dita-ditës dhe po fitojnë gjithnjë e më shumë terren, duke bërë të pamundur ndërhyrjen dhe kontrollin e policisë, e cila deri më tani nuk ka zbardhur asnjë vrasje mafioze të ndodhur kohët e fundit, ku kryesisht është goditur Shkodra.

Qyteti verior, por edhe qytete si Vlora, Durrësi, Elbasani janë tërësisht nën kontrollin e krimit të organizuar dhe mundësia për t’i shpëtuar nga dora e hekurt e kriminelëve thuajse nuk ekziston. Kjo tregon qartë se qeveria dhe ministri Xhafaj e kanë kufizuar luftën ndaj krimit të organizuar vetëm në disa deklarata propagandistike, që tregojnë se Fatmir Xhafaj duhet shkarkuar një orë e më parë nga posti që mban.

Sa herë që lufta ndërmjet bandave shkakton viktima të shumta, Xhafaj takon strukturat e policisë dhe i shpall luftë bandave. Në dhjetor 2017, disa muaj pas ngjarjes, ende të pazbardhur, mes policisë së Elbasanit dhe fisit Çapja, Ministri Xhafaj deklaroi se:

“Çapajt nuk mund të simbolizojnë këtë qytet me vlera si Elbasani. Ata dhe të tjerë do të marrin ndëshkimin e merituar.”

Disa muaj më vonë, në prill 2018, Xhafaj sërish i shpalli luftë bandave, duke u shprehur se:

“Kemi skeduar të gjitha grupet kriminale në Shqipëri apo që ushtrojnë aktivitetin jashtë vendit. Jemi të angazhuar për ndëshkimin e këtyre grupeve kriminale. Për t’i vënë para përgjegjësisë dhe ligjit. Ata duhet ta kenë shumë të qartë që policia do t’jua nxijë jetën në mënyrë që veprimtaria e tyre kriminale të përballet me drejtësinë.

Do ua nxijmë jetën! […] Kemi këtu [në Elbasan] dy tre grupe kriminale që i njohim shumë mirë e po punojmë për to për t’i dokumentuar në mënyrë që shumë shpejt mund t’i vëmë para përgjegjësisë penale.”

Të njëjtën deklaratë bëri edhe dje, si përgjigje për krimet e njëpasnjëshme që kanë ndodhur ditët e fundit në Shkodër. Duke folur nga foltorja e kuvendit, Xhafaj tha se:

“Ne jemi përfshirë në një luftë intenisve me grupet kriminale. Kemi bërë një skanim të plotë të tyre, një profil të qartë të tyre, të grupeve kriminale që nuk u krijuan as dje, as pardje por që e kanë zanafillën me vite të tera me aktivitet intensiv. Gjatë muajit shtator- tator në saj të provave që kemi mbledhur dhe punës intesive që kemi bërë jemi të bindur që do të goditen një pjesë e mirë e këtyre grupeve kriminel. Ne do të vijojmë me përgjegjësi luftën pa kompromis ndaj këtyre grupeve krimianale.”

Të gjitha këto deklarata të Fatmir Xhafajt janë vetëm fjalë propagandistike, pasi bandat në të gjitha qytetet vijojnë të godasin në çdo kohë dhe pa ju trembur syri, duke treguar se ata janë aq të fortë sa më parë dhe fjalët e ministirt nuk i kanë trembur aspak. Ata vazhdojnë të fitojnë terren e pushtet, deri sa një ditë mbase do të rrezikojnë seriozisht edhe karrigen e ministrit apo të vetë kryeministrit./Pamfleti

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com