Paralelisht me regjistrimet e atyre që futen këtë vit rishtazi, universitetet publike e private nesër hapin dyert edhe për ata që dëshirojnë të transferojnë studimet apo dëshirojnë të ndjekin një program të dytë studimi. Udhëzimi i pranimeve që ka hartuar ministria u ka dhënë 2 javë afat për ta bërë këtë gjë.
“Kandidatët që kërkojnë të ndjekin një program të dytë studimi apo të transferojnë studimet në programet e studimeve të ciklit të parë, në programet e studimeve me karakter profesional si dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2018-2019, kanë të drejtë të aplikojnë pranë institucioneve të arsimit të lartë nga data 3 shtator 2018 deri në datën 14 shtator 2018”. Rregulli është i qartë. Kjo procedurë duhet të përfundojë përpara se të nisë viti i ri akademik. Më pas nuk pranohen më studentë.
“Nuk mund të pranohen aplikime për transferime gjatë vitit akademik. Kandidatët që aplikojnë për transferim të studimeve për program të dytë studimi duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë për programet e studimit, për të cilat aplikojnë”, citohet në udhëzimin e MAS. Fakultetet e ndryshme kanë shpallur edhe listën e dokumenteve që nevojiten për aplikim: kërkesa e studentit, plani i plotë i programit të studimeve, vërtetim i listës së notave e krediteve, kopje e kartës së ID, dy foto personale, mandatpagesë si dhe fotokopje të noterizuar të diplomës së pjekurisë për maturantë të vjetër.
Ministria u heq të drejtën e aplikimit ish-studentëve të universiteteve të mbyllura në 2014-ën me vendim qeverie, ndërsa kushtëzon transferimet në programe të ngjashme të të njëjtit cikël. Në udhëzimin e ministrisë, njësoj si me pranimet e reja, është parashikuar zhvendosja e vizës së kuqe për të plotësuar numrin e kuotave të parashikuara për transferimet dhe programe të dyta studimi. Kjo duhet të mbyllet brenda datës 18 tetor.
SI BËHET PËRZGJEDHJA E MË TË MIRËVE
Për të shqyrtuar dosjet e aplikuesve, ngrihet një komision, i cili zgjedh fituesit brenda 25 shtatorit, datë kur shpallet edhe lista përfundimtare në fakultete. Nota mesatare e studimeve është një ndër kriteret kryesore përzgjedhëse për transferime. Studimet në degë të njëjta, brenda profilit apo të të njëjtit fakultet përbëjnë gjithashtu avantazh për konkurrentët.