Shqiptarët në SHBA kanë treguar vitalitetin e racës, duke shkëlqyer në shumë drejtime. Disa prej tyre janë bërë publikë nga media, një pjesë kanë preferuar heshtjen. Ndër këta të fundit është edhe inxhinieri nga Vlora, Qamil ( Kiamil) Gjonzeneli.
Inxhinieri vlonjat, që kaloi nëpër një kalvar të vështirë jete, mbërriti në vendin e ëndrrave me shpresë se Zoti i kishte caktuar një tjetër fat, jo atë të brezit të humbur të moshatarëve të tij në Shqipërinë komuniste.
Arratisja e tij është një aventurë më vete. I rritur në një mjedis antikomunist Qamilit iu desh që të përballej me represionin. Ai u ndje i veçuar nga moshatarët, që kur babi i tij u gjend me pranga ndër duar më 15 dhjetor 1945. Me 4 shkurt babait iu dha dënimi me 101 vite burg, ndërkohë që të tjerët e akuzuar bashkë me të, i çuan në plumb.
Pjesën më të vështirë të vuajtjes të atit iu desh që ta kalonte në atë që është cilësuar më i tmerrshëm se Ferri i Dantes, Burrel. Qamili kishte shkuar për ta takuar babanë në burg, por i ishte dashur që të priste jo pak, por 2 javë prapa telave me gjemba.
Pa mizerjen me sy; babanë e dobësuar, të paushqyer, dhe zemra iu dridh fort. Qamilin e përjashtuan nga Shkolla Teknike ” Vojo Kushi” ku studionte, ç’ka i dha sinjal se nuk ishte pjesë normale e asaj shoqërie dhe se një ditë ndoshta do të zinte vendin e të atit në Burrel. Në mendjen e tij po gatuhej ngadalë një ide fikse; arratisja nga Shqipëria- burg.
Po si? Baraka ku jetonin në Vlorë ishte pranë detit. Iu vu stërvitjes për të notuar në distancë. Përditë po e rriste rezistencën e të notuarit. Një italiane e mbetur në Vlorë, që nga koha e paraluftës, u bë një trainere e devotshme për të. Në verën e vitit 1951 tentoi që të maste rezistencën; notoi plot 200 metra. Iu duk pak për vendimin që i rrinte fshehur brenda vetes. Në vitin 1952-53 vazhdoi të stërvitej me ngulm. Në korrikun e vitit 1956 mori një varkë me vela dhe tentoi drejt Karaburunit, por koha e keqe, dallgët e mëdha e detyruan që të kthehej mbrapsht.
Iu kthye stërvitjes duke synuar distanca më të largëta. Në fillim notoi 1500 metra për 20 minuta; por nuk u kënaq nga rezultati. Vazhdoi me këmbëngulje. Notimi iu kthye në pasion. Për çudi, në vitin 1957, skuadra e notit e thirri në ekip. Konkuroi në tri gara dhe doli kampion. Kjo fitore nuk ia ndryshoi statusin në shoqëri, ai mbeti i biri i armikut të popullit, kështu që nuk iu largua ideja e arratisjes. Me 9 prill 1958 e mobilizuan në shërbim ushtarak në një repart pune.
Bijtë e ” armiqëve” nuk kishin të drejtë të mbanin në duar armë, me përjashtim të pushkëve të drurit. Reparti ishte përballë Korfuzit. Afërsia e Korfuzit nga bregu shqiptar, veçanërisht natën, kur dritat e sillnin më afër imazhin, ia bënë fikse idenë e ikjes. E studioi gjatë terrenin dhe çasti erdhi.
Më në fund e mori vendimin e ikjes, edhe pse ishte i bindur se pasoja të rënda do të binin mbi familjen e të afërmit, po ku do të shkonte më keq sa ç’ishin? Ishte një natë e bukur vere; 14 korrik 1958. Në orën 6 të mbrëmjes u largua nga reparti dhe priti errësirën. Gjeti momentin dhe u zhyt në ujin e ngrohtë të Jonit. Nuk kishte kaluar shumë kohë, kur nga pas dëgjoi britmat e ushtarëve dhe të lehurat e qenëve të kufirit.
E kuptoi, në repart ishte dhënë alarmi. Notoi fillimisht me shpejtësi, më pas e normalizoi ritmin. Gati për tërë natën notoi. Lodhja e sfiliti, por nuk u dorëzua. Në shënimet që ka lënë pas kujton, se ajo që i dha kurajo që ta përfundonte atë mision ishte kalimi nëpër mendje i vuajtjeve të familjes; i shkoi ndërmend babai, burgu i Burrelit; arrestimet e shpeshta, kontrolli policor i jetës, frika për të folur. Kthimi mbrapa e çonte në qeli, ecja përpara mbante gjallë shpresën për liri. Dikur e pa veten mes dy delfinëve. Si në ëndërr! Në mëngjesin e 15 korrikut, kur ishte vetëm 500 metra larg bregut, i lodhur dhe i raskapitur, dy peshkatarë grekë që peshkonin, e kanë marrë mbi varkën e tyre dhe e kanë çuar në fshatin Auliotes.
Fshatarët janë treguar të sjellshëm me të, e kanë ushqyer dhe më pas e kanë dorëzuar tek autoritetet ushtarake të Portit të Korfuzit. Aty, autoritetet ushtarake e kanë veshur, ushqyer; ka pushuar për disa kohë dhe më pas është thirrur në intervistë, ku ka treguar të gjithë dramën e ikjes, aventurën e tij dhe historinë e familjes si kundërshtare e regjimit komunist.
Pas katër ditësh qëndrimi në Korfuz, autoritetet ushtarake e shoqëruan për në Janinë. Qëndroi atje tre muaj duke iu gëzuar lirisë. Më pas u dërgua në Athinë, ku u intervistua nga zyrtarët amerikanë. Pas intervistës është mbajtë atje për gjashtë javë në një kamp refugjatësh. Më pas Qamili dërgohet në Lavrio, një kamp me refugjatë nga Ballkani, kryesisht nga Shqipëria, Bullgaria dhe ishJugosllavia. Ai ka rrëfyer se në kohën që ishte në atë kamp, aty strehoheshin rreth 500 refugjatë ballkanas.
I gjithë kalvari i Gjonzenelit; udhëtimi Korfuz- Athinë- Lavrio, përfundoi me 27 mars 1959, kur mori rrugën drejt SHBA- së. Ëndrra po merrte përmasat reale të prekjes me dorë. Udhëtoi me vaporin ” Olimpia”. Në shënimet e tij ” The Ionion Sea”, Qamili tregon se udhëtimi ishte i këndshëm. Ai udhëtoi mes 1500 pasagjerëve të kombësive të ndryshme. Udhëtimi zgjati 13 ditë. Zbriti në portin e New York- ut. Pasditen e 9 prillit 1959 preku tokën amerikane. E priti bashkadhetari Alim Begaj, i cili i kishte gjetur një vend.