Loading...

Reforma e ujit, në qytetin e Vlorës vijon puna me ritme të larta

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në qytetin e Vlorës gjatë muajit shtator do të intensifikojë punën për reformën e ujit, ku fokusi kryesor do të jetë te biznesi.

Drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë, Dorian Xhelili bën të ditur se “gjatë muajit shtator do të fokusohemi tek biznesi, i cili është një nga konsumatorët më të mëdhenj dhe do të jetë në fokusin tonë”.

“Aktualisht kemi përfunduar pjesën e parë të verifikimit të subjekteve të biznesit dhe do të vazhdojmë me abonentët familjarë. Do të këmbëngulim që bizneset të jenë të pajisur 100% me matësa dhe në marrëdhënie të rregullt me shoqërinë tonë”, tha Xhelili.

Lidhur me përballimin e sezonit turistik në drejtim të situatës së furnizimit me ujë të pijshëm, Xhelili u shpreh se “kemi një përmirësim të ndjeshëm për sa i përket furnizimit me ujë, sidomos në zonën e bregdetit, ku jemi më tepër të fokusuar”.

“Kemi pasur furnizim me ujë 24 orë në zonat bregdetare dhe në një pjesë të qytetit”, shton ai.

Për sa i përket problemeve me furnizimin me ujë, Xhelili sqaron se “probleme kemi pasur në një pjesë periferike të qytetit, ku e kemi pasur të pamundur për një rrjet ujësjellësi të ri, por kemi dhënë zgjidhje me mundësitë tona për një furnizim sa më optimal”.

Sipas tij, edhe në këto zona që kanë qenë informale para pak vitesh ne jemi përpjekur dhe kemi siguruar furnizimin me ujë të pijshëm.

“Kemi pasur probleme sporadike, por kanë gjetur zgjidhje”, përfundon Xhelili./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com