Loading...

“Eksod italian në Vlorë, çmimet e lira dhe rrjetet sociale joshën të rinjtë”

Vlora ka përjetuar këtë vit një “bum” turistësh nga vendi fqinj Italia dhe kryesisht janë grupe të rinjsh, të joshur nga çmimet e lira dhe reklama në rrjetet sociale për plazhet e mrekullueshme.

Enrik Mehmeti, gazetar në Vlorë dhe njohës i mirë i sektorit të turizmit në tërësi, tha për “Monitor” se në përgjithësi ky sezon ka qenë më i mirë se ai i viteve të mëparshme për disa arsye, por problematikat nuk kanë munguar.

Ai nënvizoi se Vlora ende vuan numrin e kufizuar të shtretërve, pavarësisht strukturave të reja akomoduese, ndërkohë që edhe trafiku ka zbehur disi shkëlqimin e sezonit. Në Lungomare, sipas tij, u 4-fishuan bizneset e bareve dhe restoranteve ndërkohë që sektori po vuan për ide inovative dhe shërbime ekstra, të cilat mund të shtojnë vlerën e ofertës që Vlora ka për turistët.

Si e përkufizoni këtë sezon turistik veror për Vlorën apo rajonin e Jugut në tërësi? A ka pasur rritje të numrit të vizitorëve të huaj? Cilat janë vendet nga kanë ardhur kryesisht?

E quaj të suksesshëm për bizneset që lidhen me sektorin e turizmit në Vlorë, por më pak të suksesshëm për pjesën tjetër të Jugut, duke nisur nga Dhërmiu dhe në vazhdim. Vlora këtë vit ka pasur një numër të madh turistësh, kryesisht të huaj, dhe “bumi” ka qenë nga “fqinjët”. Është parë një rritje e numrit të turistëve italianë, të cilët kanë qenë të organizuar në grupe të rinjsh.

Nga kontaktet me ta, për të mësuar arsyet e zgjedhjes së Vlorës për pushime, është konstatuar se përgjithësisht janë joshur nga rrjetet sociale dhe media në të cilat tregohen çmimet e lira, vendet e mrekullueshme dhe ndryshimi rrënjësor i Shqipërisë.

Sipas tyre, nga një vend që s’duhet të vizitohej për shumë faktorë, të lidhur me sigurinë dhe deri te cilësia, Vlora tashmë është kthyer në një vend që duhet vizituar patjetër. Ndryshe ka qenë situata këtë vit në Dhërmi. Kjo për shkak të çmimeve të kripura që qarkulluan nëpër rrjete, të cilat i dhanë imazhin e një vendi i cili ishte i papërballueshëm për shumicën e turistëve. E vërteta ishte që çmimet “super të larta” ishin në lokale specifike, ndërsa në të tjera kishte çmime të klasifikuara normale për turistët.

Po lidhur me strukturat akomoduese, si paraqitet situata, a ka ndryshime në çmime, po pjesa e shërbimit?

Ka një përmirësim të ndjeshëm të kushteve të hoteleve, por ndihet mungesa e numrit të shtretërve. Rritja e numrit të turistëve të huaj të cilët kërkojnë parametra bashkëkohorë, ka bërë që investimet e reja të plotësojnë këto kritere, ndërsa të vjetrat t’i shtojnë ato. Vitet e fundit, sektori i hotelerisë ka punuar me paketa për turistët e huaj, si çekë, polakë, nordikë dhe së fundmi rusë duke bërë që shumë hotele të punojnë nga muaji mars deri në nëntor. Realisht, këto hotele janë të pakta, sepse tendenca e turistëve është në rritje, edhe pse për një periudhë të shkurtër.

“Bumi” ishte në 15-ditëshin e dytë të korrikut dhe deri në fund të gushtit, ashtu si shumë destinacione në Shqipëri, ku shumë turistë nuk gjenin vende për t’u akomoduar. Kjo kërkesë bëri që të përfitonin dhe shumë qytetarë, të cilët kanë përshtatur banesat e tyre në zonën e Plazhit të Vjetër apo dhe brenda qytetit. Për sa u përket çmimeve pati një luhatje në ulje në qershor dhe gjysmën e parë të korrikut, por më pas u rikthyen në nivelet e vitit të kaluar.

Cilat kanë qenë problematikat që kanë shoqëruar këtë sezon dhe që duhet të marrin vëmendje në vijim?

Për sa u përket problematikave ka pasur një situatë më të mirë se sa vitet e kaluara, por shumë prej tyre ngelen. Mospërfundimi ende i By Pass-it Vlorë-Orikum, bëri që fluksi i automjeteve të ishte shumë i lartë edhe për këtë sezon në rrugët e qytetit. Shumë turistë, të cilët kanë pasur si destinacion pjesën tjetër të Jugut, kanë qenë të detyruar të qëndrojnë në trafik. Një tjetër problem, i cili vlen të përmendet, është dhe stafi i lidhur me shërbimet në sektorin turistik. Në këtë pikë, pati mangësi nga vetë bizneset por jo për faj të tyre, por të mungesës së specialistëve të mirëfilltë.

Do të doja të bëja një propozim për këtë pikë. Nga çdo rreth mund të sigurohen kamerierë, banakierë, kuzhinierë apo punëtorë të tjerë të sektorit të turizmit, për të plotësuar nevojën që ka qyteti. Vlora, nga ana tjetër, ka dy konvikte, ai i Universitetit që shfrytëzohet për turistë dhe i industriales, që rri bosh dhe pikërisht këtu mund të bëhet edhe akomodimi i punonjësve me një kosto disi më të pranueshme për punëdhënësit dhe ku mund të organizohen edhe trajnimet e nevojshme nga specialistet përkatës.

Kjo do të ishte një ndihmë shumë e mirë si për bizneset, por dhe për turizmin në tërësi, duke pasur një shërbim më cilësor. Edhe për të rinjtë nga zona të ndryshme mund të ishte një mundësi e mirë punësimi, edhe pse sezonale, por me një pagesë të kënaqshme.

Turizmi në vetvete po nxit edhe zhvillimin e sektorit të shërbimeve siç janë sportet ujore, udhëtimet me paketa të dedikuara me anije por ende me një zhvillim anemik. Çfarë mund të bëhet për të nxitur plotësimin e paketave turistike, në mënyrë që Vlora të mos konceptohet vetëm si det dhe hotel?

Vitin e fundit, me hyrjen në funksion në mënyrë të plotë të Lungomares, u 4-fishuan baret dhe restorantet përgjatë zonës së Ujit të Ftohtë. Idetë e bizneseve të reja janë ndalur vetëm te këto dy biznese, kryesisht duke lënë pas dore biznese inovative dhe interesante. Vlora ka nevojë ende për shtimin e bizneseve të argëtimeve, ku turisti mund të kalojë dhe kohën e lirë. Një prej gjërave më të pëlqyera që turistët kanë kërkuar ka qenë bota nënujore, pasi në Gjirin e Vlorës janë një numër i madh anijesh të mbytura ku shumë prej tyre mund dhe të vizitohen.

Fatkeqësisht përgjatë viteve, të gjitha anijet janë vjedhur nga zhytës shqiptarë dhe të huaj duke e varfëruar shumë këtë sektor. Nga ana tjetër, pati dhe një rritje të numrit të anijeve turistike ku numri i anijeve shkoi në 7 të tilla nga 2 që ishin më parë. Konkurrenca bëri që shërbimi të kishte dhe mjete të cilat nuk ishin anije standarde. Një prej tyre ishte dhe katamarani Julka Unique i cili u prit shumë mirë për shkak të prodhimit që ishte i 2018-s, stabilitetit për shkak të strukturës dhe paketave me çdo gjë të përfshirë në anije.

Sa është ndier dora e pushtetit vendor në menaxhimin e plazheve, mbetjeve, ndërhyhet në sinjalistikë dhe infrastrukturë?

Ky vit, realisht është viti më i suksesshëm për sa i përket çdo aspekti pozitiv. Duke nisur nga infrastruktura, ku kryefjala është vendosja në funksion i Lungomares. Po ashtu dhe shumë rrugë apo lagje janë rehabilituar. Shtrimi i rrugës së Pyllit të Sodës bëri që kjo zonë së bashku me Zvërnecin të kenë një frekuentim të plazheve. Edhe siguria në plazhe, ndryshe nga çdo vit, këtë vit nuk pati asnjë të mbytur, për shkak të rojeve bregdetare, të cilët u vendosën të detyruar nga bashkia.

Një tjetër meritë, e cila bëri të shmangeshin incidentet ujore ishte dhe organizimi i lëvizjes së mjeteve ujore qindra metra larg plazheve. Asnjë gomone motor deti apo motoskaf nuk u afrua pranë vendeve ku laheshin njerëzit, pasi rrezikonin gjoba të majme. Bashkia pati një përkushtim të madh dhe në aktivitetet kulturore, ku disa prej tyre ishin të niveleve europiane. Vlora këtë vit ofroi një panoramë shumë ndryshe nga çdo vit tjetër./monitor

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com