Në gushtin e vitit 1944, Adolf Hitlerit, i kishin mbetur shumë pak nga arritjet e tij të dikurshme të luftës. Nga Tripoli në Romë dhe Kiev, metropolet e pushtuara prej tij ishin rimarrë nga armiku. Ai sapo kishte humbur kryeqytetin e parë që kishte pushtuar gati 5 vjet më parë, teksa Ushtria e Kuqe e Josif Stalinit çliroi Varshavën.
Në kohën kur marshuan sundimtarët e rinj, kryeqyteti polak ishte një grumbull rrënojash ende në flakë. Qe një situatë e cila e joshte Fyhrerin: Nëse Hitleri dhe Gjermania nuk mund të kishin Varshavën, e pse duhet ta kishte dikush tjetër? E njëjta gjë vlente edhe për Parisin.
Larg Varshavës, një amerikan i gjithëpushtetshëm, ishte gjithashtu i shqetësuar për fatin e kryeqytetit francez. Për gjeneralin Duajt Ajzenhauer, Parisi, bërthama kulturore dhe artistike e qytetërimit perëndimor, përbënte një dhimbje koke të madhe.
Dy kilometra në brendësi nga bregu i Normandisë, komandanti suprem i aleatëve vendosi me ngurrim të shtyjë çlirimin e “Qytetit të Dritave”. Një raport prej 24 faqesh, paralajmëronte se çlirimit i Parisit do të kufizonte seriozisht aftësinë e aleatëve perëndimorë, për të mbajtur nën presion mbi gjermanët diku tjetër. Ai sugjeroi sugjeroi një plan alternativ, sipas të cilit gjenerali britanik Bernard Montgomeri, do të të sulmonte në lindje midis lumenjve Senë dhe Oiz, dhe çlironte portin strategjik të Le Havre, duke neutralizuar vend-lëshimet e raketave V-1 dhe V-2 në Pa Dë Kale.
Ndërkohë, armata e XII amerikane mund të lëvizte në jug të Parisit për të kaluar Senën në Melun, për të marshuar rreth 100 kilometra në veri të Reimsit, dhe pastaj për t’u kthyer në perëndim dhe bashkuar në Amiens. Një betejë shkatërruese urbane në Paris do të shmangej,
terreni në fjalë ishte i përshtatshëm për kalimin e ushtrisë, dhe garnizoni gjerman i qytetit do të neutralizohej me rrethim, dhe jo me sulme të drejtpërdrejta.
Operacioni u vendos paraprakisht që të fillonte diku midis 15 shtatorit dhe 1 tetorit 1944. Kur Sharl De Gol mësoi mbi planin për të anashkaluar Parisin dhe për të vonuar çlirimin, ai u bind se amerikanët kishin ende arsye të panjohura, në favor të një komploti për të shkatërruar të ardhmen e tij politike.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, gjermanët ishin zhgënjyer në përpjekjet e tyre për të pushtuar Parisin. Dy milionë prej tyre, kishin vdekur në baltovinat e përgjakura të Frontit Perëndimor. Një nga të mbijetuarit ishte pikërisht Adolf Hitleri. Katër vite pasi nazistët kishin hyrë triumfisht në kryeqytetin francez, ai ishte i fiksuar për ta mbrojtur atë më çdo kusht.
Megjithatë, Hitleri e kuptoi gjithashtu se edhe mund ta humbiste Parisin. Nëse çlirimi i qytetit ishte i afërt, ai vendosi që kryeqyteti francez të shkatërrohej. Pas 3 vitesh shërbimi të shquar në frontin rus, gjenerali Ditrih von Sholtic u soll në frontin perëndimor nga Fyhreri. Pas atentatit të dështuar ndaj tij më 20 korrik, Hitleri kishte pak besim tek besnikëria e komandantëve të tij ushtarakë.
Por tek Sholtic, ai besonte se ai e kishte gjetur njeriun e tij për një mision monumental. Trashëgimia familjare e Sholtic e gjeneratave të militarizmit prusian, i linte pak hapësirë një fryme të pavarur. Kur udhëhoqi pushtimin gjerman të Holandës në pranverën e vitit 1940, ai urdhëroi formacionet e avionëve bombardues të bënin pluhur e hi Roterdamin, përpara se qyteti të kishte shansin të dorëzohej.
Ditrih von Sholtic, ishte realisht një shkatërrues i aftë i qyteteve, por kur mbërriti në Paris si guvernator i ri ushtarak, pati disa takime që e ndryshuan rrënjësisht si njeri. Ai e kishte takuar për herë të parë Hitlerin në një takim veror në vitin 1943 në frontin rus, duke u mahnitur nga personaliteti i fuqishëm dhe besimi ngjitës që impononte Fyhreri.
Por kur shkoi në selinë e tij në Rastenburg, Prusinë Lindore, një vit më vonë, ai u zhgënjye tërësisht. Shëndeti i Hitlerit ishte shkatërruar nga presioni i madh psikologjik, dhe siç dyshonin disa mjekë edhe nga sëmundja e Parkinsonit. Hitleri e caktoi guvernator të Parisit, duke e porositur të mos kishte asnjë mëshirë ndaj të gjitha akteve civile të mosbindjes apo terrorizmit.
Duke lënë pas kompleksin pyjor të Hitlerit, Sholtic e kuptoi se këtë herë nuk bëhej fjalë për ndonjë qytet industrial apo bujqësor në stepat ruse, për për Parisin, qytetin më të bukur në botë.
Për herë të parë në jetën e tij, Sholtic mendoi të mos i bindej një urdhri të drejtpërdrejtë nga lart. Pas mbërritjes në komandën e tij të re, ai u informua mbi urdhrat e tmerrshme për një tërheqje në stilin e tokës së djegur, në rast se trupat gjermane nuk do të ishin në gjendje të mbanin qytetin.
Shumë shpejt, kompania e xhenierëve nisi vendosjen strategjike të eksplozivëve. Pajisjet elektrike dhe ato ujore patën prioritetin më të madh, por strukturat e para të minuara ishin urat shekullore mbi Senë.
Pa këto ura, çdo ushtri do ta kishte të vështirë të përparonte me shpejtësi. Më 16 gusht, Hitleri urdhëroi drejtuesit e Gestapos të evakojnë qytetin. Më 17 gusht, Sholtic mori një urdhër nga Feldmarshalli Gynter von Kluge ku thuhej:”Unë jap urdhër për shkatërrimin e parashikuar të Parisit!”. Gjenerali u gjend midis prirjes së ngulitur prusiane për të zbatuar urdhrin nga lart, dhe vetëdijes se do të ishte një akt vandal, për të cilin ai do të mbante një përgjegjësi të përjetshme historike.
Po atë ditë Sholtic shkoi në zyrën e Pier Tatinger, kryebashkiakut të Parisit. Ky u alarmua nga eksplozivët e vendosur në të gjithë qytetin, dhe i kërkoi shpjegime. Ai u trondit nga përgjigja e Sholtic:”Ju duhet të kuptoni se duhen marrë disa masa. Është detyra ime, të ngadalësoj sa më shumë të jetë e mundur përparimin e aleatëve”.
Papritmas, Sholtic u prek nga një nga sulmet periodike të astmës, duke nisur të kollitej në mënyrë të pakontrollueshme. Duke e shoqëruar për në ballkon për pak ajër të pastër, Tatinger pa poshtë mbi kopshtin e bukur të Tylërive, dhe u frymëzua. Më poshtë, një vajzë e re dhe e bukur e po e ngiste biçikletën e saj në rrugën de Rivoli; në zonat e lëmuara të Le Notrit, fëmijët po luanin me varkat e tyre prej letre; dhe përtej kësaj qëndronte simboli i qytetit të dritës, Kulla Eifel.
Apeli i francezit ishte i fuqishëm:”Shpesh një gjenerali i jeper rasti të shkatërrojë, dhe rrallë të ruajë. Imagjinoni që një ditë mund, ju mund të ngjiteni sërish në këtë ballkon, si një turist, të shihni edhe njëherë këto monumente dhe të mund të thoni:Një ditë unë kisha mundësi t’i shkatërroja, por i ruajta si një dhuratë për njerëzimin!”.
Sholtic qëndroi një moment i heshtur dhe pastaj tha:”Ju jeni një avokat i mirë i Parisit zoti Tatinger. E keni bërë mirë detyrën tuaj. Po ashtu edhe unë, si gjeneral gjerman, duhet të bëj detyrën time”. Por a do të ishte vërtet kështu?
Në mëngjesin e 19 gushtit, forcat goliste nisën një sulm ndaj forcave gjermane. Ndërsa gjermanët reaguan me pancerat e tyre, shkatërrimet në qytet nisën të shtohen. Gjenerali Ajzenhaer përjetoi një përzierje emocionesh teksa priste ardhjen e De Golit në selinë e tij në Grenvil, por ku mbizotëronte zemërimi.
Kryengritja pariziane e kishte tërbuar. Pa ndihmën e menjëhershme nga aleatët, revolta kishte gjasa të shtypej, dhe Parisi do të pësonte të njëjtin fat si Varshava. Ajzenhauer e kuptoi se ai dhe aleatët perëndimorë në tërësi, do të mbaheshin përgjegjës si gjermanët, nëse nuk do arrinin ta parandalonin këtë katastrofë, por kjo mund të sabonten gjithë kalendarin e luftës në Europë, dhe të zgjaste me disa muaj konfliktin e tmerrshëm.
Në qytet, rebelëve po u mbaronte municioni, dhe gjermanët po i shtypnin me një dhunë në rritje. Në mesin e luftimeve, gjermanët minuan bodrumin e “Les Invalides”; që nëse do të shpërthente mund të shkatërronte Muzeun e Ushtrisë Franceze, galerinë e artit ushtarak, kazermat 400 vjeçare, dhe varrin e Napoleon Bonapartit.
Mëngjesin e 23 gushtit, 4 inxhinierë SS po inspektonin këmbët mbështetëse të Kullës Eiffel, duke kërkuar vendet më të mira për të vendosur eksplozivin. Sholtic rrezikoi jetën e tij dhe të familjes, duke e gënjyer gjenerajlejtnantin Hans Shpidël, se shkatërrimi i qytetit tashmë kishte filluar.
Gjermanët po forconin perimetrin e tyre mbrojtës në perëndim të kryeqytetit, por ishte tepër vonë. Armata e II-të franceze dhe Divizioni IV i këmbësorisë amerikane, ishin gati të nisnin goditjen. Luftwaffe kishte marrë urdhra nga Hitleri për të kryer sulm të madh ajror mbi Paris,
por Sholtic kundështoi duke thënë se një sulm i tillë “do të vriste po aq shumë gjermanë sa edhe parizienë”.
Ai u dorëzua dhe arrestua mesditën e 25 gushtit nga forcat franceze. Në Gjermani, një gjykatë ushtarake u mblodh për të gjykuar Sholtic në mungesë për tradhëti. Megjithatë, i pandehuri kishte shumë miq të vendosur në rradhët e ushtrisë, dhe ata arritën ta vononin gjyqi derisa mbaroi lufta, duke shpëtuar kështu gruan dhe fëmijët e Sholtic nga ekzekutimi apo burgimi. /HiStoryNet – Bota.al