Një nga revistat e njohura italiane L’Espresso i ka kushtuar hapësirë aktivitetit të bandave shqiptare në Itali. Në artikullin e fundit të kësaj reviste të marrë shkas nga grabitja e pak ditëve më parë e apartamentit të prindërve të ministrit të brendshëm Matteo Salvini thuhet se grupet kriminale shqiptare konsiderohen mjaft të rrezikshme.
Gjatë orëve të fundit policia italiane ka arrestuar autorët e kësaj grabitje, shtetas gjeorgjiane të njohur me nofkën “rusët” e pjesë e mafias gjeorgjiane me një biznes milionarë në grabitjen e banesave në të gjithë Europën. Për revistën italiane, në biznesin mjaft fitimprurërës të grabitjeve, pas gjeorgjianëve renditen grupet kriminale shqiptare.
“Biznesi fitimprurës nga grabitjet i gjeorgjianëve ndahet me kumbarët e Tiranës. “Mafia shqiptare për momentin konsiderohet kupola e huaj më e fuqishme dhe më e rrënjosur në Itali” –shkruan revista.
Së bashku me trafikimin e drogës, trafikun e qënieve njerëzore, së fundmi ajo merret dhe me grabitje kryesisht në territorin verior e qëndror të Italisë. Krahu kriminel i punës vjen nga Tirana , Durrësi dhe nga qyteti i vogël i Milotit ku kanë dhe bazën bandat më aktive shqiptare që veprojnë në Itali./korrieri