Pas majës së Jezercës, Presidenti Ilir Meta është ngjitur në Tropojë duke vijuari turin e tij në të gjithë vendin duke vizituar bukuritë natyrore. Ai është takuar me banorë duke ngritur një dolli për popullin e Tropojës, ndërsa ishte i shoqëruar edhe nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
“Ambasadorit Minxhozi i kërkoj të marrë përgjegjësitë për këtë shëndet, për popullin e mrekullueshëm të Valbonës dhe Tropojës, që i mikpret të gjithë dhe është kaq i përkushtuar për të treguar këto bukuri të jashtëzakonshme të Bjeshkëve të Nemuna e Alpeve tona”, thotë Meta në dollinë e tij. Presidenti Ilir Meta vizitoi dje Alpet Shqiptare. Kreu i shtetit u ngjit në pikën më të lartë të Alpeve tona dhe më të vështirën në të gjithë Ballkanin, Majën e Jezercës 2696 metra.
Fotot dhe videot e kësaj aventure sportive dhe turistike janë duke bërë xhiron rrjeteve sociale dhe mediave online. Në fund të ngjitjes në Jezercë, Ilir Meta ka shkruar këtë mesazh në librin e përshtypjeve, në të cilin gjithë alpinistët dhe udhëtarët që arrijnë në Majë të Jezercës (që realisht janë të rrallë) shkruajnë për përvojën dhe emocionet e udhëtimit jo të zakonshëm.
“Mrekulli të ngjitesha këtu në kryemajën e alpeve tona, Jezercë. Falenderim të veçantë Fatos Kotollozit dhe Mentor Bojku të “Outdoor Kosova”, Dardanit e Julianit nga Valbona dhe Bashkim Kuliçit nga Tropoja“,- shkruan Presidenti.