Loading...

“Më e keqja në Aushvic ishte të ishe një grua shtatzënë”, rrëfimi i pazakontë i mjekes

Historia gruas që praktikoi qindra aborte, për të shpëtuar jetët e grave hebreje

Në vitin 1982 në moshën 72-vjeçare udhëtoi nga Izraeli drejt Nju Jorkut për të marrë një çmim mirënjohje. Gisella Perl, gjinekologia, e cila ishte e burgosur dhe mjeke e grave në kampin e përqendrimit nazist u shpreh se më e keqja që mund t’i ndodhte dikujt në Aushtvic ishte të ishe një grua shtatzanë.

Ajo rrezikoi jetën, ashtu siç e kujtojnë kolegët e saj dhe historianët e Shoah-s, George Weisz dhe Konrad Kwiet për të shpëtuar një numër të pallogaritshëm grash; i ndihmoi të abortonin, ose të provokonte një lindje të parakohshme në rast se kishin shumë muaj shtatzanie dhe në këtë mënyrë të mbijetonin. Heinrich Himmler ishte shprehur se nuk kishte kuptim të shfarosje të rriturit dhe të lije fëmijët të rriteshin dhe të hakmerreshin kundër fëmijëve të tyre dhe nipërve. Kështu në mesin e atyre 6 milionë të vrarë, pjesa më e madhe hebrenj, 1.5 milionë ishin fëmijë. Kur mbërrinin në kampin e përqendrimit femrat shtatzana shkonin direkt në dhomat e gazit. Ato që e fshihnin për një periudhë kohe e vononin këtë fund sepse nuk mund të punonin dhe tradhtoheshin nga ky fakt. Në rast se ishin në fund të shtatzanisë fëmijët kur lindnin mbyteshin ose u injektohej një injeksion vdekjeprurës. Josef Mengele, i cili realizonte eksperimente mjeksore të dhunshme mbi të burgosurit kishte një farë parapëlqimi për binjakët, për të paaftët dhe për gratë shtatzana. “Mengele më tha që ta informoja për këdo grua shtatzanë”, – kujton Perl në një artikull për “The New York Times”. “Më tha që do të shkonin një një kamp tjetër për të marrë ushqim më të mirë, madje edhe qumësht. Gratë e lajmëronin vetë atë; jam shtatzanë”. Megjithatë Perl e dinte që ishte një gënjeshtër.

Në kujtimet e veta “I was a doctor in Auschwitz” (Isha një mjeke në Aushtvic) kujton një ditë të vitit 1944, në afërsi të krematoriumit: “Pashë gra shtatzana të rrahura me shkopa dhe kamzhikë, të kafshuara nga qentë, të kapura nga flokët dhe të goditura në stomak nga çizmet e rënda gjermane. Në ato momente, derisa i binte të fikët i tërhiqnin drejt krematoriumit të gjalla. Atëherë vendosa që kurrë më nuk do të kishte shtatzana në Aushtvic”.

Dhe siç shprehen Weisz dhe Kwiet për revistën mjeksore “Rambam Maimonides” iu bashkua historisë së burrave dhe të grave të burgosura që rrezikojnë jetën për të shpëtuar të tjerët. Në rastin e saj u përball me një dilemë morale, e cila ishte një sfidë e padiskutueshme. Ky vendim i kushtoi shumë, por kuptoi se nëse ajo nuk i ndërpriste shtatzanitë si nënat dhe fëmijët do të vdisnin njësoj. Pavarsisht besimit profesional dhe atij fetar si mjeke dhe si hebreje praktikuese, Perl filloi të realizonte aborte mbi një dysheme të pistë, vetëm me duar, pa i larë, pa instrumente mjeksore, pa anestezi dhe shumë herë në krevatët e marinarit të mbipopulluara dhe të pistë, brenda barrakave për gra në Aushtvic. Perl i dha fund shumë jetëve të fetuseve me shpresën se nënat do të mbijetonin dhe më pas ndoshta mund të kishin fëmijë.

Kishte raste që u ndesh me shtatzani të avancuara, të cilat nuk e lejonin abortin. Atëherë çante qesen amniotike dhe zgjeronte qafën e mitrës me dorë për të nxitur lindjen. Në këto raste fëmijët prematurë vdisnin pothuaj menjëherë shpjegojnë historianët. Pa një kërcënim të zbulimit të shtatzanisë gratë mund të punonin. Perl e kujton kështu një rrethanë: “Asnjëherë dikush do ta kuptojë se çfarë do të thoshte për mua të vrisja ato bebe, por nëse nuk do ta kisha bërë si nënat dhe fëmijët do të ishin vrarë mizorisht”. Në një rast Perl e shtrëngoi një djalë tri ditësh, pasi e kishte puthur më parë.

Gisella Perl lindi në 1907 në nje vend të hebrenjve ortodoksë në Sighetu Marmatiei në Transilvani, Rumani. Ishte një vajzë e avancuar, e para hebreje që mbaroi gjimnazin në fshatin e saj dhe e para grua që hyri në mjeksi. U martua dhe pati dy fëmijë; djalë dhe vajzë. Punonte si gjinekologe kur nazistët pushtuan rajonin në maj 1944. Brenda 5 ditësh gjermantë deportuan 14 000 hebrenj nga fshati, pjesa më e madhe për në Aushtvic ku vdiqën menjëherë. Të burgosur bashkë me të i shoqi dhe djali; vajza u fsheh nga një familje. Kur mbërriti në kamp u nda nga familja e saj dhe u detyrua të merrej me dhurimet e forcuara të gjakut të të burgosurave për t’iu ardhur në ndihmë ushtarëve gjermanë. ”E harruan rassenschande, kontaminimin me gjakun inferior. Ishim shumë inferiorë për të jetuar, por shërbyem për të mbajtur gjallë ushtrinë gjermane me gjakun tonë”, – shkruajti ajo në kujtimet e saj.

Kur Mengele e mori vesh që ishte gjinekologe i ndryshoi detyrë. Pa dhoma, pa mjete trajtonte paientët vetëm me zërin e saj. U rrëfente histori të bukura, i thoshte se një ditë do të festonin ditëlindjen, që një ditë do të këndonin. “I njëjti dëshpërim që po më mbytte u shndrrua në një ndjenjë rebelimi që më nxori nga letargjia dhe më dha një motiv për të jetuar”. Nuk dihet sa gra ka shpëtuar, por e ndjente se edhe ato i shpëtonin të sajën. “Unë duhej të mbetesha gjallë. Varej nga unë shpëtimi i grave shtatzana nga dhomat e gazit. Varej nga unë shpëtimi i nënave dhe nuk kishte mënyrë tjetër veçse shkatërrimit të jetëve të fëmijëve të tyre të palindur”, – kujton ajo. Evakuimi i kampit në vitin 1945 kur po afrohej ushtria ruse çoi drejt vdekjes çerekun e 60 000 të burgosurve në Aushtvic. Në atë periudhë Perl ndodhej në një kamp tjetër në afërsi të Hamburgut, kur u çliruan. Kur mbërritën trupat britanike e gjetën duke asistuar procesin e lindjes së një gruaje. Ishte djali i parë hebre që lindi në liri në Bergen-Belsen. Më pas kërkoi të shoqin dhe djalin në Gjermani për muaj të tërë.

Në fund zbuloi se i kishin vrarë. Në vitin 1947 u përpoq të vetëvritej, i mbijetoi dhe emigroi në Amerikë. “Kur mbërriti u dyshua se Perl kishte kryer krime lufte”, – shprehen Weisz dhe Kwiet, – “Ishte makthi që e priste dhe që Joseph Sargent e rrëfeu në filmin Out of the Ashes”. Arriti të provonte se nuk kishte bashkëpunuar me Mengelen dhe se dëshmia e saj ishte kyç për dënimin e të paktën një mjeku në Aushtvic dhe se dëshmia e saj ishte e ngjashme me dëshmitë e të mbijetuarve të tjerë. Në një rast u njoh me Eleanor Roosevelt dhe me ndihmën e saj mori nënshtetësinë amerikane dhe hapi një klinikë obstetrike në Manhatan, kushtuar në pjesën më të madhe të mbijetuarve të Shoah-s. Rimori jetën akademike dhe investoi në fertilizime në “Hospital Mount Sinai”, ku solli në jetë më shumë se 3000 fëmijë. Vdiq në 16 dhjetor 1988 në Herzliya, Izrael ku kishte emigruar për të jetuar me vajzën. /bota.al/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com