Përgjimi “Biba-Bianku”, nuk provon vetëm faktin e rëndomtë, që shtetarët dhe politikanët shqiptarë bëjnë pazare në interes të pasurimit e sundimit të tyre, por provon së pari, skenarin e grabitjes dhe (mos)kthimit të pronave.
Denar Biba shkoi në Strasburg, ashtë si dhe të tjerë “suflerë e sekserë” para tij, të dërguar prej pushtetit të PD e LSI, për të bllokuar kthimin dhe dëmshpërblimin e pronave, mbasi pjesë e grabitjes së tyre, janë edhe vetë ata, mbi të cilat kanë ngritur ferma, fabrika, hotele, biznese e saraje luksoze.
Ata ndërhyjnë në Strasburg, sepse atje kanë depozituar ankim-kërkesat për drejtësi, mijëra shqiptarë, viktima të grabitjes së pronave nga shteti, shtetarët, politikanët dhe familjarët e tyre, nga bosët e krimit, oligarkët e nga turma barbarësh, të lidhur me politikën, të mbrojtur me ligje speciale (legalizimi).
Procesi i (mos)kthimit të pronave në Shqipëri, nuk është “paaftësi qeveritare”, por është skenar i përbashkët i klasës politike, që po zbatohet prej 26 vitesh, nga të gjitha pushtetet majtas e djathtas, duke miratuar, rrëzuar e ndryshuar qëllimisht, ligje, vendime, udhëzime e formularë, si marifet vonese, lodhjeje, shpenzimesh e vërdallisje me gjyqe pa fund.
Ndaj dhe pronarët e grabitur, vazhdojnë të “dynden” në Gjykatën e Strasburgut, mbasi në Shqipëri, janë 20 institucione kushtetuese, që duhet të njohin, legjitimojnë, sigurojnë, garantojnë e kthejnë pronën, por që tallen, mashtrojnë e krijojnë terren për grabitjen e saj…
Institucionet shtetërore, të grabitjes dhe (mos)kthimit të pronave
Qeveria, Parlamenti, Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave, Këshilli Rregullimit të Territorit, Arkiva e Shtetit, Hipoteka, Gjykata e Faktit, Gjykatat e Apelit, Prokuroria, Avokatura e Shtetit
Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjeve të Pronave Publike, Komisioni e Pronave në Komunë e Bashki, Agjencia e Inventarizim-Transferimit të Pasurive të Paluajtshme, ALUIZNI, Komisioni Qeveritar i Tokës pranë Prefektit, Komisioni Verfikimit të Pronës në Këshillin e Qarkut, Enti Kombëtar i Banesave