Loading...

Zbulohet kush është kryeqyteti i spiunëve në Evropë, diplomatët: Si jemi përgjuar

Nga Lili Bajer/ Harrojeni Vienën dhe Berlinin. Ekziston një tjetër fole e madhe spiunësh në Europë: Brukseli.

Dyshimet midis zyrtarëve të BE-së, se Britania e Madhe i spiunoi ata për t’i vjedhur planet e mbi Brexit, bënë bujë në mediat britanike javën e shkuar. Por për shumë njerëz në Bruksel, spiunimi si i miqve ashtu edhe armiqve, është thjesht një biznes i zakonshëm.

Për disa agjensi të huaja të inteligjencës, Brukseli është një objektiv, pasi aty ndodhet selia e Bashkimit Europian dhe NATO-s. Për të tjerët, si disa shërbime inteligjence afrikane dhe të Lindjes së Mesme, fokusi është mbi diasporat e tyre të mëdha që banojnë në Belgjikë, të cilat ndikojnë në politikën kombëtare.

Në qershor, kreu i agjencisë së inteligjencës austrisë, Peter Gridling, u tha gazetarëve se “Brukseli tani e ka tejkaluar Vjenën”, kur është fjala për dendësinë e “të ashtuquajturave shërbime të inteligjencës jashtë BE-së”. Ndërsa spiunimi ka qenë gjithmonë i pranishëm në Bruksel, teksa rëndësia e BE-së u rrit së bashku me numrin e ambasadave në qytet, po kështu ndodhi edhe me numrin e spiunëve.

“Lufta e Ftohtë është kthyer”- thekson një ish-zyrtar i lartë i inteligjencës belge, duke shtuar se tani ka më shumë agjentë që veprojnë në Bruksel, sesa në vitet para shembjes së Murit të Berlinit. “Kinezët, rusët, amerikanët dhe marokenet, kanë një prani të madhe në Belgjikë”- shton ish-zyrtari, duke folur me kushte anonimiteti.

Dhe duke zbuluar se Shërbimi Belg i Sigurisë, u ka kërkuar disa agjentëve të huaj të largohen nga vendi gjatë viteve të fundit. Diplomatët në Bruksel, supozojnë se po monitorohen çdo ditë.

“Ka pasur një shqetësim mbi një aktivitet të inteligjencës së huaj”-tha Haurd Gutman, ish ambasador i SHBA-së në Belgjikë.

Zyra e ambasadorit kontrollohej rregullisht për pajisjet e përgjimit, dhe asnjë telefon nuk lejohej brenda në godinë, tha Gutman. Por jashtë, u kuptua se të tjerët po na përgjonin. “Ka kaq shumë njerëz brenda dhe jashtë, sa që s’ka asnjë mënyrë për ta parandaluar atë, ju duhet vetëm të supozoni në çdo kohë, që rusët dhe kinezët po ju përgjojnë”- thotë Gutman.

Ceremonitë e festave kombëtare, kur diplomatët vizitojnë ambasadat në pritjet e dhëna me këtë rast, janë raste të arta për veprimtarinë e inteligjencës, tha Gutman, duke vënë në dukje se atashetë që shoqërojnë ambasadorët në raste të tilla, janë shpesh oficerë të fshehtë të inteligjencës.

“Për shkak të BE-së dhe NATO-s, vendet e tjera kanë një mision thelbësor diplomatik dhe ekonomik në Bruksel, duke krijuar një ambient të pasur për qëllime të të gjitha llojeve të spiunazhit”- tha një ish-zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane, i cili nuk pranoi të identifikohej me emër.

“Brukseli është gjithashtu një qytet lehtësisht i depërtueshëm, për të hyrë brenda dhe dalë jashtë, gjë që mund të lehtësojë operacione të ndjeshme”- shtoi ky ish-zyrtar. Vetë Shtetet e Bashkuara, janë larg nga të qënit një palë e pafajshme në skenën e spiunazhit në Bruksel.

Në vitin 2013, “Der Spiegel” raportoi se sipas dokumenteve të dhëna nga informatori Eduard Snouden, SHBA-të kishin kryer një operacion elektronik përgjimi ndaj institucioneve të BE-së në Bruksel – dhe gjithashtu përgjonin misionet diplomatike të BE-së në Uashington dhe Kombet e Bashkuara.

Dy vjet më vonë, revista gjermane raportoi se shërbimet amerikane të inteligjencës kishin tentuar të përdornin objektet gjermane për të spiunuar qeverinë, kompani dhe institucione të tjera, duke përfshirë edhe Komisionin Europian. Komisioni Europian, Këshilli Europian, Parlamenti Europian dhe NATO, kanë secila zyrat e tyre të sigurisë, që punojnë në parandalimin e spiunëve nga depërtimi në godinat e tyre, dhe qasja në dokumenta të rëndësisë së veçantë.

Në vitin 2003, pajisjet e përgjimit u zbuluan në ndërtesën Justus Lipsius të Këshillit Europian, me një hetim zyrtar belg që më vonë tregoi gishtin e dyshimit mbi qeverinë izraelite.

Zyrtarët e sigurisë, përpiqen gjithashtu të paralajmërojnë stafin të ketë kujdes, kur flet për punën në kafenetë dhe restorantet e qytetit. “Ne e dimë se ka fuqi të jashtme, jashtë BE-së, që përpiqen të hyjnë në të dhënat tona”- tha një zyrtar i lartë i sigurisë së BE. “Këshilla jonë e përgjithshme, është që të jemi të kujdesshëm dhe të vëmendshëm në hapësirat publike”.

Ndërsa institucionet ndërkombëtare, përpiqen të kontrollojnë atë që ndodh brenda ndërtesave të tyre, barra më e madhe e punës së kundërzbulimit në qytet bie mbi Shërbimin Belg të Sigurisë Shtetërore. “Çdo shërbim ka njerëzit e vet këtu”- tha ish-zyrtari i lartë i inteligjencës belge, duke shtuar se aktiviteti i spiunazhit në Bruksel, mbulon fushat nga energjia tek mbrojtja, dhe çështjet politike si emigracioni.

“Kemi shërbime miqësore, neutrale dhe jo miqësore”- tha ky person, duke vënë në dukje se agjentët e inteligjencës në përgjithësi punojnë si diplomatë të fshehtë, dhe shpesh deklarohen para Shërbimit të Sigurisë Shtetërore pas mbërritjes në Bruksel. Në një vend të njohur për shtresa të shumta dhe të mbivendosura të qeverisë, koordinimi midis institucioneve të sigurisë belge dhe të BE, lë ndonjëherë shumë për të dëshiruar, thonë ekspertët.

Kur ka “kaq shumë pengesa në ndarjen e informacionit, dhe përgjegjësia e hetimit është vazhdimisht një ping-pong mes institucioneve, si mund të prisni të kapni fajtorin dhe të angazhoheni në veprime të mira?”- thotë Kenet Lazoen, ekspert mbi inteligjencën belge në Universitetin e Gentit.

Autoritetet belge, ndodhen gjithashtu nën presion nga sfidat me të cilat ballafaqohen, veçanërisht pasi Brukseli u bë një objektiv i terrorizmit të radikalëve islamike. Shërbimi i Sigurisë Shtetërore, me një staf prej qindra vetësh, ka një mandat që përfshin ruatjen e e të dhënave mbi terrorizmin, spiunazhin, përhapjen e armëve dhe krimin e organizuar.

“Çdo shërbim, është për momentin i fokusuar tek terrorizmi”- tha ish-zyrtari i lartë i inteligjencës belge. “Ne kemi një problem me personelin, me mjetet, me burimet” tha ky person, duke shtuar se numri i njerëzve në shërbim, duhet të paktën të dyfishohet.

“Fokusi mbi terrorizmin, nuk do të thotë se duhet të humbni fokusin ndaj spiunazhit kibernetik dhe klasik”- tha ish-zyrtari. “Kur nuk investoni në gjetjen e burimeve, humbni pozicionin tuaj të inteligjencës, të cilën është e vështirë ta rifitoni”.

Burimi: Politico.eu / Në shqip nga bota.al

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com