Një person është arrestuar në Fushë-Kosovë pasi ka dëbuar me dhunë nga shtëpia bashkëshorten e tij shtatzënë.
Një grua shtatzënë ka raportuar në polici se ishte sulmuar nga burri i saj i cili e kishte dëbuar nga shtëpia në mesnatë. Viktima, sipas Policisë, është obliguar të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa personi i dyshuar është arrestuar.
Detaje rreth këtij rasti për Express ka dhënë kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka.
Beka ka thënë se gruaja është larguar nga shtëpia dhe rrahur nga bashkëshorti i saj. Ai ka sqaruar se gruaja ishte në muajin e pestë të shtatzënisë kur është sulmuar nga burri i saj.
Kryeprokurori ka sqaruar se viktima është shtruar në spital pas lëndimeve të marra nga sulmi i burrit.
“Rasti ka ndodhur të martën në mbrëmje. Te dyshuari i është caktuar masa e paraburgim prej 30 ditësh. Ndërsa viktima në bazë të informatave që kemi deri mbrëmë ka qenë e shtruar në spital”, tha Beka.
Njoftimi sqaron se në shtëpinë e të dyshuarit Policia ka zbuluar se ai merrej me kultivimin e bimëve të kanabisit.