Shtatori do të nise me shumë ndryshime edhe në kabinetin qeveritar, ku ashtu sikurse është paralajmëruar do të ketë lëvizje të ministrave dhe zv.ministrave, por edhe opozita ka deklaruar se do të fillojë një stinë të madhe protestash. “Pamfleti” shkruan se një dosje super e bujshme po punohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për një zyrtar shumë të lartë shqiptar.
Burime të rezervuara nga organi i hetimit flasin që brenda dhjetorit do të dalë një dosje përvëluese, ku flitet për një anëtar kabineti aktual, pra ministër. Nuk dihet nëse ky fakt ka rënë në duart e kryeministrit që mund të bëjë ndryshimet përpara se të nisë hetimi i prokurorisë, por realisht ka gjasa që situata të jetë shpërthyese si me rastin e Saimir Tahirit një vit më parë.
Ndërkaq, ambasada amerikane ka bërë thirrje për aplikimin e kandidatëve të pastër për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Ambasadori amerikan foli për “një gjyqtar të ndershëm nga gjykatat e apelit”. Ngritja e KLGJ-së dhe KLP-së hap rrugën më pas për të startuar SPAK apo Prokuroria Speciale, e cila do të marrë kompetencat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ambasada amerikane u ka bërë thirrje të gjithë gjyqtarëve që kalojnë vetingun të aplikojnë për vendet vakante.
“Shqipëria është në prag të krijimit të një sistemi drejtësie që vërtet i shërben interesave të qytetarëve të saj. Iu bëjmë thirrje gjykatësve të ndershëm, patriotë dhe me integritet nga gjykatat e apelit që të bëjnë përpara dhe t’i shërbejnë vendit të tyre në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Bëhuni pjesë e të ardhmes së Shqipërisë! Aplikoni”, thuhet në thirrjen e ambasadës amerikane./Pamfleti/