Loading...

Himarë, kinema verore me netët e filmit europian

Netët e filmit europian në Himarë erdhën përmes projektit të kinemasë verore.

I zhvilluar në disa qytete për disa net me radhë “Open cinema” ishte edhe në Himarë. Në Himarë kinemaja verore u zhvillua e mbështetur nga “Projekti Bashkitë për në Europë”, bashkia Himarë dhe Këndi i Bashkimit Europian në këtë qytet.

Mbrëmjen e fundit për publikun erdhën dy filma të kinemasë së huaj. Organizator i këtij projekti, kineasti Skënder Jaçe shprehet se ekrani i kinemasë është magji. “Një mbrëmje e bukur mbrëmë në Himarë me kinemanë europiane. Interesim i veçantë i turistëve të huaj në shikimin e dy filmave “Pitkini në spital” dhe filmi spanjoll “Një histori kineze”. Hëna e bukur sipër ekranit të madh e bënte edhe më romantike këtë mbrëmje kinematografike, sepse ekrani i madh është magji”, pohon Jaçe.

Pak ditë më parë ekrani i madh në “Open cinema” në Lungomare Vlorë, jo vetëm përcolli filma të regjisorëve shqiptarë, por dhe atyre të huaj. Ky projekt ka nisur më parë dhe në qytete të tjera dhe sipas organizatorëve ka bërë bashkë dhe kineastë dhe aktorë të njohur, që janë pjesëmarrës gjatë shfaqjes së filmave. Në një kohë kur në Shqipëri pothuajse kinematë nuk funksionojnë në rrethe të ndryshme përmes këtij projekti me “Open cinema” filmi po prezantohet për publikun.

Para Vlorës, për katër net rresht qyteti i Gjirokastrës ishte vendi ku filloi projekti i kinemasë verore. Aktiviteti edhe në këtë qytet ka promovuar disa nga filmat e fundit të kinemasë shqiptare të pashfaqur për publikun: “Të Thyer” (Broken), i regjisorit të njohur Edmond Budina, apo filmi i regjisorit Fatmir Koçi “Elvisi kthehet në shtëpi”, i cili u zgjodh në festivalin e filmit në Montreal në kategorinë A. Nëpërmjet retrospektivave të ndryshme u bë homazh për aktorët dhe regjisorët shqiptarë e të huaj që janë ndarë nga jeta. Gjatë fjalës së tij në Gjirokastër regjisori Edmond Budina pohoi se organizime të tilla janë të rëndësishme për promovimin e kinemasë shqiptare./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com