Loading...

Zbulohet plani i SHBA-BE për arrestimet ‘VIP’, ja me çfarë do të përballet politika nëse bllokon SPAK-un

Çdo tentativë për të bllokuar ngritjen e SPAK-ut do të ishte fatale për politikën shqiptare, e cila do t’i duhet të përballet me ILDKP, Krimet e Rënda dhe Drejtorinë e Pastrimit të Parave. Siç shihet në sferën e nxehtë politike, PD dhe LSI nuk po japin konsensus për zbatimin e reformës dhe organi më i rrezikuar është Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Gara për në KLGJ e KLP u zgjat, ndërsa mungon konsensusi PD-PS për të amenduar nenet që rrëzoi Gjykata Kushtetuese. ‘Sot’ shkruan se nëse nuk bëhet amendimi i tyre, KLGJ e KLP nuk marrin dot vendim për të emëruar anëtarët e SPAK. Por edhe nëse politika vijon ta zvarrisë procesin, gazeta ka mësuar se ndërkombëtarët dhe qeveria janë duke ecur me një plan rezervë për të shkuar te arrestimet në nivele të larta. BE kërkon me ngulm që të luftohet korrupsioni dhe nëse deri në qershor nuk ka “peshq të mëdhenj” në rrjetë, atëherë nuk ka hapje negociatash.

Sipas informacioneve, qeveria me ndihmën e SHBA-BE do përdorin resurset aktuale për të goditur korrupsionin. Një ditë më parë gazeta publikoi paktin me Eurojust dhe aty thuhej qartë se do jetë Prokuroria e Përgjithshme që do koordinojë punën me ndërkombëtarët dhe jo SPAK. Nga ana tjetër, nëse shihen strategjitë antikorrupsion 2018-2020 të qeverisë dhe prokurorisë, bie në sy se të dyja janë të angazhuara për të dërguar pas hekurave këdo që ka futur duart në xhepat e qytetarëve shqiptarë. Në planin e qeverisë përcaktohet qartë se do të forcohet roli i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe i Drejtorisë së Pastrimit të Parave. Po ashtu gazeta ka mësuar se nëse SPAK zvarritet, këto organe do hyjnë në lojë për të nisur një valë kallëzimesh ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve të lartë.

Dosjet shkojnë te Krimet e Rënda dhe më pas është kjo prokurori që duhet të dërgojë pas hekurave të korruptuarit. Gazeta e tha pak ditë më parë se në Tiranë kanë ardhur disa ekspertë për pastrimin e parave dhe ata janë informuar për dosje konkrete që ka DPPPP. Po ashtu dhe më herët amerikanët kanë kërkuar të dhëna për zyrtarë të caktuar që dyshohet se kanë nxjerrë para jashtë vendit dhe kanë bërë pastrim parash. Pra, nëse PD dhe LSI vijojnë të mbajnë pezull organet e reja të drejtësisë, do vihen në lëvizje institucionet shtetërore për të ndëshkuar të korruptuarit. Sinjali i parë është dhënë me hetimet për Adriatik Llallën, ndërsa pritet që fatin e tij ta kenë dhe shumë të tjerë.

Tentativat bllokuese për SPAK

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ishte planifikuar të ngihej që në fund të vitit 2016, por politika ka bërë tentativa të shumta që ky organ të mos zyrtarizohet. Fillimisht ishte Partia Demokratike, e cila ankimoi në Kushtetuese ligjin e vetingut. Kushtetuesja e pezulloi për 3 muaj dhe procesi u shty. Kur pritej që të zgjidheshin anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit, PD hyri në çadër dhe vonoi me 3 muaj votimin e tyre. Pasi u zhbllokua vetingu, hyrën në ngërç KLGJ e KLP. Gara për përfaqësues nga shoqëria civile e avokatia u hap 4-5 herë. Kushtetuta e ka të përcaktuar se SPAK ngrihet dy muaj pas ngritjes së KLP. Pra, pa u ngritur KLP nuk ka organe antikorrupsion. Por ngrija e këtij organi po has vështirësi. Përveç kësaj, problemi është se KLP do emërojë prokurorët e SPAK. Kushtetuesja ka rrëzuar nenin bazë të mbledhjes së KLP dhe nëse ai nuk ndryshon, nuk bëhen dot emërime. Pra tashmë gjithçka është në dorë të politikës./korrieri

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com