Kjo recetë e veçantë është perfekte për stinën e verës. E lehtë, e shkrifët dhe plot shije, kjo bukë mund të jetë shoqëruesja ideale e vakteve familjare. Kokrrat e misrit luajnë rolin e ëmbëlsuesit natyral për brumin e bukës. Gjithashtu dhe e bëjnë atë akoma dhe më poroze.
Ka një shije të veçantë dhe mund të konsumohet në të gjitha vaktet e ditës. Fantastike për t’u konsumuar mëngjeseve me gjalpë të freskët, qumësht, djathë e reçel, ashtu siç shoqëron në mënyrë perfekte supa, gjellë e tava të ndryshme gjatë drekës, perime të pjekura apo sallata të freskëta të stinës.
Për një vakt të lehtë dreke, buka me miell misri dhe qumësht është ideale për t’u shoqëruar me kos apo me djathë e perime të freskëta siç janë domatet dhe kastravecat.
AgroWeb.org ju sjell më poshtë recetën e përgatitjes së bukës me miell misri dhe qumësht krejt lehtë në shtëpi.
Përgatitja e Bukës me Miell Misri dhe Qumësht
Përbërësit
280 g miell misri
140 g miell gruri i imët
½ lugë çaji me sodë buke
1 lugë çaji me kripë
1 lugë çaji me sheqer
120 ml qumësht
3 vezë
130 g misër kokërr të zjerë (e gjeni në markete)
4 lugë gjelle me gjalpë të tretur
Si të përgatitet
Lyeni me pak gjalpë të freskët një tavë me diametër 24 cm. Sobën e ngrohim në 220 gradë.
Në një tas të madh përziejmë miellin e misrit, miellin e grurit, sodën e bukës, kripën dhe sheqerin.
Në një enë tjetër hedhim qumështin dhe vezët, i rahim deri sa të përfitojmë një masë kremoze.
Më pas shtojmë gjalpin dhe kokrrat e misrit të zjerë dhe përsëri i përziejmë me kujdes për të ruajtur formën e misrit.
I bashkojmë të dyja masat bashkë dhe i përziejmë me kujdes që të mos na formohen kokrriza.
Masën që na formohet e kalojmë në tavën e lyer me gjalpë.
E vendosim në furrën e parangrohur për 20-25 minuta, derisa e shohim që ka marr një ngjyrë të artë.
Në fund bëjmë dhe një provë shumë të lehtë, nëse buka ngrihet pasi e shtypim pak me gisht (si një sfungjer) është gati për t’u shërbyer.
Kjo bukë shkon shumë me supa dhe gatime pak pikante, por mund te konsumohet për një darkë të lehtë./AgroWeb.org