Byreku është një nga ato gatime që nuk të zhgënjen kurrë. Atë mund ta hash në çdo kohë të ditës dhe në çdo vend. Alternativat janë të larmishme: byrek me spinaq, qepë e domate, fasule, gjizë, djathtë, presh, apo qumësht.
Të gjitha kanë veçantinë e tyre dhe të gjithë byrekët janë super të shijshëm. Receta e rekomanduar nga AgroWeb.org bën fjalë për byrekun me qumësht, një ushqim që të bën të lëpish gishtat.
Përbërësit e byrekut me qumësht
Racionet: 4 ose 5
3 filxhanë çaji miell,
2 kokrra vezë
1 pako gjalpë ose vaj ulliri
¾ liter qumësht
1 filxhan çaji niseshte
pak kripë
Udhëzimet
Si fillim duhen përgatitur petët e byrekut.
Në ditët e sotme mund të përdorni edhe petë të gatshme, por e mira e të mirave është që petët t’i përgatisni vetë.
Hidheni miellin e situr në një tepsi.
Hapni një vrimë në mes të tij dhe hidhni ujë me pak kripë.
Përzierjen e brumit fillojeni nga mesi, duke kombinuar ujin me miellin.
Brumin punojeni me duar për 8-10 minuta.
Pasi brumi të ketë marrë formën e duhur, ndajeni në kuleçe dhe mbulojini me napë të lagur.
Lërini të qëndrojnë për 20-25 minuta.
Më pas hapini kuleçët një e nga një duke i spërkatur me pak niseshte.
Kur petët të jenë hapur sa duhet, piqini mbi pllakën e sobës.
Temperatura duhet të jetë mesatare në mënyrë që petët të mos digjen.
Ndërkohë trazoni qumështin, vezët dhe gjalpin e shkrirë.
Në fund të tepsisë vendosni një petë të papjekur.
Spërkateni me masën e qumështit dhe mbulojeni me një petë tjetër të pjekur.
Spërkatini të gjitha petët një e nga një me masën e qumështit, vezëve dhe gjalpit deri sa tepsia të jetë mbushur e gjitha.
Në fund, mbulojeni byrekun me petën e papjekur.
Lyejeni me gjalpë dhe futeni në furrë.
Lëreni byrekun të piqet për rreth 30-40 minuta.
Pas pjekjes hiqeni nga furra, priteni në copa dhe servireni.