Ndërsa është paralajmëruar një shtator i nxehtë politike nga opozita, një mesazh u kërkua të jepej nga të rinjtë e LSI teksa mbyllën kampin e përvitshëm veror në Jalë. Me këngë dhe marsh ushtarak si një nisje për në luftë, video u bë virale brenda pak orësh, e eklipsoi duke ngjallur jo vetëm humor të zi në rrjet, por edhe kritika për fanatizmin me të cilin të rinjtë e këndojnë tekstin, që i ngjan më tepër një poezie të dobët.
Përveç ngjashmërisë me parakalimet e fëmijëve gjatë kohës së komunizmit para udhëheqjes, shqetësimi i mijëra komentuesve në rrjete sociale është ajo që e shohin si shpëlarje e truve të rinisë në një strukturë që i ngjan më tepër sektit se partisë. Ndër të paktët që e ka marrë seriozisht, ishte ish kreu i PD-së Sali Berisha, që e postoi me fjalët se “rinia do të përmbysë narkoshtetin”, por duke nxitur menjëherë një valë komentesh kritikuese që i krahasonin të rinjtë herë me debatikas, dhe herë me pasuesit e Hitlerit.
Vala e komenteve përfshin postimet në profile analistësh e qytetarësh, e deri te faqja humoristike Lolita, e cila shqetësimin për militantin që poshtërohet deri në patetizëm, e mbyll me mesazhin: mos e harro këtë video herën tjetër që të lypin votën. Nga ana tjetër nga postimet ironike në rrjetet sociale, gjykohet se mazhoranca vetëm e trembur nuk është, por nuk dihet nëse kryeministri e ka pritur marshin e Jalës me të njëjtën buzëqeshje si çizmen e “burrneshës” në parlament.