Loading...

Rama ka gati ofertën për Bashën, rritet ankthi në radhët e LSI

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur dje mbledhjen e dytë të qeverisë në Vlorë, ku ka vijuar dhënia e llogarisë nga ministrat. Pas takimit të së premtes, dje rreth orës 10.00 ministrat shkuan sërish në Vilën Qeveritare dhe për disa orë kanë vijuar diskutimet. Dje të pranishëm kanë qenë dhe bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Bledi Çuçi, si dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. Gazeta ka mësuar detaje se mbledhja e djeshme është fokusuar kryesisht te disa çështje, të tilla si: Reforma zgjedhore, përgatitja për zgjedhjet vendore vitin që vjen, përgatitja e ofertës që do i bëhet opozitës për të gjetur bashkëpunimin në vjeshtë, si dhe përmbushja e kushteve të vëna nga BE me qëllim marrjen e statusit kandidat. Ashtu siç gazeta e ka bërë të ditur më herët, dje Rama u ka dhënë udhëzime të gjithë ministrave, se çfarë duhet të realizojnë gjatë ditëve në vijim.

Sigurisht që vëmendja ka qenë te kushtet e BE, pasi kryeministri kërkon që të realizohen të gjitha kërkesat me qëllim që në qershor të mos dalë asnjë pengesë. Përmbushja e kushteve të vendosura nga Brukseli do jetë dhe një ndër elementët kryesorë që do të përcaktojë emrat që qëndrojnë në qeveri. Po ashtu Rama ka kërkuar që të nisë përgatitja për zgjedhjet vendore. Qershori 2019, përveçse do vendosë fatin e integrimit, do jetë i rëndësishëm dhe për forcën e qeverisë. Zgjedhjet vendore do jenë test për të parë nëse ka pakënaqësi ndaj qeverisë dhe Rama ka kërkuar më shumë angazhim. Vëmendja më e madhe e qeverisë do jetë e përqendruar te punësimet, pasi dihet që problemi më i madh janë vendet e punës.

Oferta për opozitën

Në takimin e djeshëm mësohet se kryeministri Edi Rama ka diskutuar me ministrat dhe për ofertën që do i bëhet opozitës në shtator, me qëllim që ajo të japë votën për të zgjidhur ngërçet e reformës në drejtësi dhe realizuar kërkesat e BE. Ka shumë ligje që duan 84 vota dhe pa votën e opozitës ngritja e KLGJ, KLP, SPAK dhe Byrosë së Hetimit vihet në pikëpyetje. Për këtë arsye dje është finalizuar drafti me lëshimet që do bëjë qeveria dhe shumë shpejt pritet të ngrihet një grup negociator që do hyjë në bisedime me PD. Por një gjë e tillë duket se ka shtuar frikën e LSI. Gazeta e bëri të ditur ditën e djeshme se LSI i trembet faktit se Rama mund të arrijë një konsensus me Bashën për të ndarë qeverinë dhe kjo do i jepte LSI goditjen finale në zgjedhjet vendore.

Ende nuk dihet se çfarë përmban oferta e PS për opozitën, por gazeta ka mësuar se 3 personat më të shqetësuar për momentin janë: Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Pakti i 17 majit ishte një goditje fatale për LSI, pasi nuk shkoi më shumë se 19 deputetë. Në vjeshtë pritet të ketë një takim të dytë dhe treshja Meta-Kryemadhi-Berisha janë duke planifikuar skenarët për të ndalur arritjen e paktit. Dje Berisha dhe LSI ashpërsuan thirrjet për të shkuar në mosbindje civile dhe ky duket se do jetë pakti i tyre.

Lëvizjet e Veliajt

Dje u pa në Vilën Qeveritare në Vlorë dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Nuk ka një qëndrim zyrtar se përse ishte ai aty, por dyshohet e Rama e ka thirrur për të kërkuar më shumë garanci nga kryebashkiaku, për t’i dhënë atij një mandat të dytë. Veliaj po kërkon me ngulm rikandidmin, por Rama është i pakënaqur. Tani ai kërkon nga kryebashkiaku që ta bindë për t’i dhënë atij këtë mundësi./Kliti TOPALLI

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com