Zija Çela një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë së sotme sjell disa vargje të ndjera për madhështinë e familjes. Poeti i cili ka humbur djalin e vetëm nga një sumundje e rëndë, nga ballkoni i meditimit i dedikon fjali sublime “formacionit tresh”, siç e quan ai. Ajo çka e bën më interesante historinë, që nuk i ka shpëtuar syrit të tij kritik, është gjymtimi i burrit të familjes, por paravrësisht kësaj forca që përçon gruaja mban “më këmbë” të ardhmen.
I pashë, sapo i pashë nga ballkoni…
Ata ishin tre. Një burrë, një grua, një fëmije në karroce. Dhe kur u afruan, prapë nuk e prishën formacionin. Gruaja ecte, shtynte karrocën dhe fliste gjithë embëlsi me të shoqin. Burri i gjatë e kishte nxjerrë me të djathtë. Vura re se nga bërryli e poshtë atij i mungonte pjesa e krahut të majtë. Por pëllëmbën e tjetrit e kishte mbështetur në supin e së shoqes. Çfarë bisedonin nuk e di, veçse ai i gjegjej plot përzemërsi.
Para se të merrnin kthesen, iu desh të ndaleshin disa herë, duke u hequr mënjanë. I parakaloi një biçiklist me zile. Pastaj ca këmbësorë të nxituar. Pastaj një motor picerie, që gumezhinte si grerez e kuqe.
Megjithatë, kur morën kthesën, ishin ende në atë formacion të lidhur. Formacioni tresh. Një fëmijë në karrocë, një grua që e shtynte, një burrë që i mungonte gjysma e një krahu, por pëllëmbën e tjetrit e kishte mbështetur në supin e së shoqes. Më dhanë në çast përqasjen e trekëndëshit. Hipotenuza ishte burri, kateti i shkurtë fëmija, ndërsa baza… Baza ishte gruaja.
Zonjë e panjohur, ti kurrë s’ke për ta ditur, Zija Çela të ka xhan. Zoti të ndihtë, zonjë e nderuar, për t’i dalë gjithnjë zot familjes tënde.