Ajo që përflitej rezulton e vërtetë. Kryeministri shqiptar Edi Rama e la me urgjencë mbledhjen informale të qeverisë në Vlorë për të parë ndeshjen me Lacios dhe Juventusit në Torino. Tifozi i flaktë i bardhezinjve është parë të bisedojë me presidentin e Juventusit, Andrea Anjeli në Juventus Stadium.
Ishte deputeti i PD-së, Edi Paloka që fillimisht shkroi në Facebook se kryeministri Edi Rama, pas mbledhjes me ministrat ne Vlore ka mbërritur në Rinas me helikopter dhe prej andej, me një avion charter është nisur drejt Torinos.
“Pak minuta më parë, ekzaktësisht me 13.44, kryeministri i vendit me te varfër në Evropë, pasi ka mbërritur në aeroportin e Rinasit nga Vlora me helikopter Cougar është nisur për në Torino me një charter tip Cesna 550, të Serbisë YUBTB. Arsyeja; ndeshja Juventus-Lazio qe zhvillohet ne orën 18.00. Kushdo qe e ka mundësinë, gazetare ose jo, le ta verifikojë” – shkruan Paloka.
Vetëm kohët e fundit Rama është shfaqur si tifoz i Juventusit pasi në të kaluarën ka bërë tifo për Interin. Meqë nuk e ka sqaruar ndonjëherë këtë kalim, i mbetet vetëm të tregojë se me cilat para pagoi avionin charter, pasi për vendin VIP në tribunën e Juventusit do të thotë se ishte “i ftuar”.