Monika Kryemadhi ndodhet prej ditësh në ‘ethe dhe në ankth’ nga frika e humbjes së radhës në zgjedhjet lokale të 2019. Një ditë më parë u raportua se Rama po mendon mundësinë e bashkëqeverisjes me Bashën dhe kjo duket se nuk po përtypet nga Monika, e cila ka nisur mobilizimin e partisë së saj, që nuk duket të jetë më shumë se një grusht. Mes frikës dhe panikut, dhe pa asnjë mbështetje, Monika duket se ka gjetur shpëtim te një grusht të rinjsh, të cilët i ka mbledhur reth vetes dhe po i përdor si ‘ushtarë’ për qëllimet e saj politike.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale dhe në media duken një grup të rinjsh mes të cilëve ka edhe shumë fëmijë të mobilizuar nga vetë Kryemadhi në kampin e LRI, që i shkojnë pas ‘hienës’ me idetë e saj kundër qeverisë. Kjo tregon se Monika nuk kursen as të rinjtë, kur vjen puna për interesat e saj.
Por situata rëndohet edhe më shumë, kur kjo video të rinjsh shpërndahet edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili i bashkohet grupit të hienave Meta-Kryemadhi, të zënë në panik nga frika e humbjes së madhe që i pret. Berisha duket sikur i bën ‘iso’ kryetares së LSI dhe i bashkohet skandalit të saj, për t’i dhënë mbase pak zemër, pasi të dy e dinë sa të pavlerë janë për politikën shqiptare dhe sa pak i shërbejnë asaj.
Monika dhe Berisha po bëjnë gati ‘armët’ për të rrëzuar qeverinë, por në fakt kanë zgjedhur ‘armët’ dhe rrugën e gabuar, duke përdorur dhe duke u tallur me të rinjtë dhe fëmijët, që për vendet evropiane ku inspirojmë të shkojmë janë e ardhmja, ndërsa për këta dy politikanë mizorë po kthehen fatkeqësisht në një tufë ‘bagëtish’.
Siç mund të shikoni, videoja e mësipërme që Mona dhe Berisha i bëjnë jehonë, të fut tmerrin dhe dridhmat, vetëm nga fakti se si ‘urdhërohen’ të rinjtë e fëmijët të bëjnë çfarë thotë kryetari, të gërhasin njëzëri kundër qeverisë, si në kohën e Enver Hoxhës, ku e gjithë turma ishte e detyruar t’i shkonte pas demagogut. Kjo nuk është mënyra për të fituar pushtet dhe as simpatinë e njerëzve, rinia është e shenjtë, është e ardhmja e një vendi, nuk mund të përdoret, të mbushet me negativitet e urrejtje, por për politikanët tanë pak rëndësi ka kjo.