Loading...

Prindër hapni sytë, tekstet e reja për këto klasa jepen falas. Ja kush përfiton

Këtë vit fëmijët e klasave të para deri tek e katërta do të kenë librat falas, njoftoi Ministria e Arsimit,  të cilat do të mund t’i marrin në shkollë nga mësuesit e tyre.  Kjo nismë e cila këtë vit pilotohet për herë të parë pritet të zgjerohet edhe me klasa të tjera në vitet pasuese.

Sivjet u mbyll cikli i prodhimit të teksteve të reja dhe cilësore shkollore të mbështetura në kurrikulën e re.  Çdo vit, nga viti 2015 janë aprovuar tekste të reja për klasa të caktuara, duke i pilotuar dhe më pas aprovuar përfundimisht. Kjo reformë filloi nga klasa e parë dhe e gjashtë vitin e parë duke e mbyllur gjithë ciklin me vitin shkollor 2019-2020.

Sivjet janë aprovuar tekstet e klasës së katër, nëntë dhe dymbëdhjetë duke mbetur për vitin pasues vetëm tekstet e klasës pestë. Tekstet e reja u morën nga shtëpi botuese prestigjioze si “Oxford”, “Cembridge” dhe “Pearson”, sidomos për lëndët e shkencave.

Teksti i ri është ndërtuar mbi një kurrikul të re dhe i marrë nga “Oxford”, “Cambridge” apo “Pearson”, ka çmim të ndryshëm nga teksti i vjetër i realizuar në Shqipëri.

Sipas MASH, disa nga kategoritë e nxënësve që marrin tekste falas:
Fëmijët/nxënësit që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në të katërt. Fëmijët/nxënësit që janë i treti e më lart në radhën e shkollimit të fëmijëve të së njëjtës familje. Fëmijët/nxënësit që janë pjesë e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pagesë papunësie nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Fëmijët/nxënësit që janë viktima të trafikimit e marrin ndihmë dhe asistencë nga Qendra Kombëtare e Pritjes së Viktimave të Trafikimit, Qendra Kombëtare e Viktimave të Dhunës në Familje dhe Qendra Kombëtare Tranzitore e Emergjencës. Fëmijët/nxënësit që janë përfitues në institucionet e përkujdesit social rezidencial në Qendrën Kombëtare të Pritjes së Viktimave të Trafikimit. Fëmijët romë dhe egjiptian. Fëmijët jetim etj.

Së bashku me nxënësit e ciklit të ulët, libra falas në Republikën e Shqipërisë do të përfitojnë mbi 2/3 e të gjithë nxënësve që janë pjesë e arsimit të detyrueshëm./korrieri

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com