Prej më shumë se dy ditësh po dalin në dritë detaje të reja nga skandali me firmat piramidale të shfaqura në Shqipëri në vitin e errët 1997. ”SOT” tregon si nisi shfarrosja e tyre dhe qendrimi që mbajti në atë kohë qeveria Berisha. Po ashtu siç thuhet në raportin e FMN-së, qeveria e asja kohe shihte nga jashtë të gjitha skandalet dhe nuk ndërhynte për t’i parandaluar.
“Gjatë gjithë vitit qeveria ishte një spektator pasiv në krizën që shpalosej. Megjithëse masa e problemit u bë e qartë kur Banka e Shqipërisë zbuloi se depozitat e VEFA në sistem ishin rreth 120 milionë dollarë (5 për qind e GDP) dhe me gjithë paralajmërimet nga FMN e Banka Botërore, Ministria e Financave nuk paralajmëroi publikun deri në tetor. Por dhe atëherë, ajo bëri vetëm një dallim të rremë e keqinterpretues mes kompanive me investime të vërteta, që sipas saj besohej si ishin të qendrueshme dhe skemave të pastra piramidale. Kur u sugjerua se disa nga kompanitë funksiononin vetëm me riciklimin e parave, Presidenti Sali Berisha u doli atyre në mbrojtje.
Reagimi i shtypit dhe i publikut ishte kryesisht negativ dhe FMN nisi të akuzohej nga shqiptarët se po përpiqej të mbyllte firmat më të suksesshme të vendit”, thuhet aty. Më tej deklarohet se në nëntor, pas presionit të jashtëm u ngrit një komision për hetimin e firmave, por ai nuk u mblodh kurrë. Më 19 nëntor Sude ndaloi pagesat dhe i gjithë sistemi u shemb. “Shembja e Sudes tronditi financat e të gjitha kompanive dhe depozitat e reja u thanë. Një tentativë e VEFA, Kamberi, Silva, e Cenaj për të bindur depozituesit se ishin të qëndrueshme duke ulur interesat në 5 për qind, dështoi. Në janar 1997, Sude e Gjallica falimentuan duke shkaktuar nisjen e trazirave”, thuhet në dokument.
Zgjimi i qeverisë
Në raportin e FMN tregohen dhe ndërhyrjet e qeverisë së asaj kohe vetëm në momentin e fundit. Sipas dokumentit, qeveria në vend që të merrte masa konkrete nis të bëjë dallime mes kompanive. “Skemat e tjera ndoqën të njëjtën linjë dhe me shumë vonesë qeveria nisi të marrë disa masa. Së pari ajo refuzoi kompensimin e depozituesve për humbjet, që e bëri më të thjesht afrimit të stabiliteti ekonomik. Së dyti ajo mori masa kundër disa kompanive duke ngrirë llogaritë e Xhaferri e Populli, të cilat arrinin në 250 milionë dollarë (10 për qind e GDP). Banka e Shqipërisë me iniciativën e saj nisi të kufizojë tërheqjet e përditshme nga llogaritë për të parandaluar skema të tjera të zbraznin llogaritë e tyre. Në shkurt parlamenti kaloi ligjin e ndalimit të skemave piramidale, por pa i përkufizuar qartë ato. Qeveria nisi të bëjë dallime mes kompanive me investime të vërteta deh atyre thjesht piramidale por nuk veproi kundër kompanive të mëdha”, thekson FMN. Më tej bëhet e ditur se në mars 1997, Shqipëria ishte në kaos. Qeveria kishte humbur kontrollin e jugut të vendit.
“President Berisha pranoi të mbante zgjedhje të reja parlamentare para fundit të qershorit dhe u emërua një qeveri e përkohshme. Ndërkohë rreth 2,000 njerëz ishin vrarë në dhunën pas shembjes së piramidave dhe pjesë të mëdha të vendit ishin jashtë kontrollit të qeverisë por të bandave kriminale që kishin zëvendësuar autoritetet”, thuhet aty.