Ka ngjallur jo pak debati sondazhi i publikuar dje nga Monitor, ku thuhej se 1 milion shqiptarë mbi 25 vjeç nuk kishin lexuar asnjë libër vitin e shkuar.
Një ndër personazhet që ka reaguar është edhe moderatori Turjan Hyska, i cili në fakt shprehet i revoltuar dhe gishtin e drejton edhe tek mediat duke thënë se “kjo është çorbë e gatuar nga promovimi i modeleve të shëmtuara.”
Në statuset e tij në Instastory, Turjan Hyska shkruan:
Libri është në ditën e tij më të keqe. Dija është e vetmja rrugë për një shoqëri të emancipuar. Ne si shoqëri po ndërtojmë analfabetë krenarë përditë dhe kjo është një minë me sahat që shumë shpejt do shpërthejë.
Mos u skandalizoni kur dëgjoni për luftë me sëpata, kallashë apo antitanke! Mos u skandalizoni kur vriten për një ngritje vetulle! Mos u skandalizoni kur rrihen nga burrat e nuk thonë asnjë llaf.
Mos u skandalizoni pse e shohim të ardhmen tek 1, X, 2! Mos u skandalizoni kur s’dinë të shkruajnë as emrin! Mos u skandalizoni kur i mbushim hundët me kokainë që 15 vjeç!
Mos u skandalizoni që të gjithë kanë model një me Lamborgini, doktor shkencash në Medellin të Kolumbisë! Mos u skandalizoni që pothuajse nuk do kemi më një rini të që do muzikën e bukur, sportin, zanatin apo familjen! Çorbën po e gatuajmë vet duke promovuar modele të shëmtuara.
Politika, shoqeria civile, media por mbi te gjitha familja kane deshtuar ne menyre spektakolare per te ndertuar nje shoqeri qe lexon, meson, nderton!”