Një gjeneratë e re antibiotikësh mund të vijë nga molekulat që ndodhen në mënyrë të natyrishme në organizmin e njeriut, si një enzimë që ndihmon në tretje.
Në fakt, këto substanca janë në gjendje të vrasin baktere si Salmonela dhe Eskerikja koli si dhe mund të modifikohen për të luftuar superbakteret që janë rezistente ndaj barnave.
Ky zbulim është arritur nga një kërkim i publikuar në revistën “ACS Synthetic Biology” dhe i realizuar nga Alberto Di Donato dhe Eugenio Notomista të Universitetit “Federico II” i Napolit si dhe nga Cesar de la Fuente Nunez i Institutit të Teknologjisë në Masaçuset (MIT).
“Një seri antibiotikësh tradicionalë tashmë janë të paefektshëm sepse bakteret kanë mësuar të bashkëjetojnë me këto substanca, për pasojë objektivi thelbësor është që të përpiqemi të zhvillojmë një kategori të re molekulash ndaj të cilave bakteret nuk dinë të mbrohen”, tha Di Donato.
Në kërkimin e armëve të reja kundër baktereve, biologët dhe kimistët po përqëndrohen në disa substanca të prodhuara nga organizmi i njeriut që ndihmojnë sistemin imunitar që të luftojë infeksionet.
“Megjithatë këto substanca nuk janë mjaftueshëm të fuqishme për të vepruar të vetme. Pra, ideja është që të individualizohen ato që arrijnë të luftojnë bakteret që më pas të përdoret biologjia sintetike për t’i modifikuar dhe për t’i bërë më të fuqishme”, thotë De la Fuente Nunez.
Për këtë qëllim studiuesit kanë krijuar një softuer që mundëson analizimin e strukturës së proteinave dhe të shohë nëse kemi grupe kimike në gjendje që të neutralizojmë bakteret.
Ky softuer ka identifikuar rreth 800 prej këtyre proteinave dhe është vërejtur se një prej tyre, e pranishme në stomak, është në gjendje që të vrasë të paktën tre lloje bakteresh, si Slamonela, E. koli dhe Pseudomonas aeruginosa, që mund të infektojë mushkëritë.
Tani kërkimet do të përqëndrohen në këtë enzimë, që mund të bëhet baza nga ku të prodhohen antibiotikë të rinj. /