Loading...

Vlorë, miratohet projekti i restaurimit të plotë të xhamisë së Muradies

Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin për “Restaurimin e Xhamisë së Muradies”, Vlorë, monument kulture i kategorisë së parë.

Projekti i hartuar nga TIKA-Turkish Cooperation and Coordination Agency, parashikon restaurimin e plotë të objektit.

Instituti i Monumenteve të Kulturës beson në një tjetër bashkëpunim të frytshëm me TIKA – Turkish Cooperation and Coordination Agency, ashtu siç po vijojmë punën edhe me 5 xhami të tjera në Tiranë, Berat dhe Gjirokastër.

Sipas udhëtarit turk Evlija Çelebi, ajo është ndërtuar me urdhër të Sulltan Sulejmanit i cili ka qenë në Vlorë në vitin 1537, kur përgatitej për të sulmuar brigjet e Italisë dhe për tu hedhur në Pulje. Ajo u projektua nga arkitekt Mimar Sinani (Me origjinë shqiptare), një ndër arkitektët më të shquar të perandorisë Osmane, i njohur ndryshe edhe si “Mikelanxhelo i Orientit”. Sipas një mbishkrimi i cili ka qenë i vendosur mbi hyrje, ndërtimi i saj ka përfunduar në vitin 1542.

Në mesin e shek. XVII Çelebiu e përshkruan xhaminë si një nga më të bukurat, me një kube guri të gdhendur, me mbulesë plumbi, e me një minare të rënë. Atë e trashëgojmë nga shekujt me rikonstruksione të pjesshme në Minare, Kuplë e Portik. Portiku i saj ruhej deri në fillimet e shek. XX, siç mund ta vërtetojë materiali fotografik i kohës. Megjithë këto ndryshime monumenti i ruan mjaft mirë vlerat autentike, si një ndërtim monumental i arritur nga pikëpamja arkitektonike, duke qenë njëkohësisht një nga dëshmitë e para të historisë së kësaj gjinie ndërtimore në vendin tonë.

Deri në vitet 1920 ajo quhej xhamia e Plumbit (Për shkak se kupola ka qenë me mbulesë prej plumbi), ndërsa më vonë u quajt xhamia e Muradies për shkak të emrit të lagjes ku është vendosur. Mbas Luftës së Dytë Botërore u kthye në muze arkitekture për qytetin e Vlorës, dhe nga publiku njihej dhe si muzeu i monumenteve të kulturës së Vlorës, mbasi brenda saj ishin ekspozuar nëpërmjet skicave, fotografive, planimetrive, maketeve, pikturave e materialeve dorëshkrimore, monumentet më të spikatura të Rrethit të Vlorës. Sot ajo i është rikthyer në përdorim besimtarëve mysliman të qytetit.

Xhamia e Muradies është e tipit me kupolë dhe përbehet nga salla e lutjeve dhe minarja. Në sallën e lutjeve, hyhet nga porta e vetme që ndodhet në anën veriore, e cila mbulohet nga një hark i ulët. Përballë portës së hyrjes, në sallën e lutjeve, është mihrabi me prerje gjysmërrethi, me stalaktite në pjesën e sipërme dhe i rrethuar nga një kornizë drejtkëndore, ndërsa në të djathtë të tij ndodhet minberi. Përveç faqes veriore ku ndodhet hyrja, salla në tre anët e tjera ndirçohet nga pesë dritare në secilën faqe./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com