Golloborda, një zonë kodrinore-malore në lartësi prej 1000-1200 metrash e mbushur me kullota alpine në përbërje të saj ka edhe dy fusha pjellore Klenjë dhe Steblevë-Studën.
Ajo ndodhet në qarqet e Dibrës dhe Elbasanit dhe emri i saj do të thotë vend kodrinor i zhveshur. Ky toponim gjendet i pranishëm pjesërisht në emërtime lokale vendesh, si në Trebisht, Steblevë, Rekë (Velebërdë) dhe Vollnisht (Ternino Nebërdo).
Këto veçori e kanë shtyrë albanologun rus, Aleksandër Novik dhe kolegë të tij që të studiojnë dhe të njohin nga afër traditat, bukuritë dhe gjuhën që banorët e asaj zone flasin, për t’i hedhur më pas në një libër prej mbi 300 faqesh, duke krahasuar kulturën shqiptare me atë sllave, pasi në Gollobordë flitet gjuha shqipe dhe bullgare.
Novik, në një intervistë për KosovaPress, ka bërë të ditur se nesër do të promovojë librin “Golloborda (Golo Bordo) në Shqipëri”, në ambientet e Fakultetit Filologjik në Prishtinë.
Sipas tij, ky është një libër i tillë i domosdoshëm, pasi për këtë zonë nuk ishte shkruar për dekada të tëra, gjë që tregon se kjo monografi i kishte marrë tre vjet kohë për t’u kompletuar në një botim të vetëm.
“Tre vjet kemi shkuar për studime shkencore në teren në këtë zonë, në Gollobordë, në fshatin Trebisht e kështu me radhë dhe kemi botuar në Rusi, para 5 vitesh monografinë tonë kolektive kushtuar gjuhës dhe kulturës tradicionale të kësaj zone. Vitin e kaluar në nëntor në Tiranë, kjo monografi është botuar në gjuhën shqipe. Është përkthyer nga kolegu ynë Ligor Cullufe. Kjo zonë ishte përshkruar para 70 vjetësh. Në Serbi ka dalë një monografi para 70 vjetësh dhe ne mendonim që duhet të shkonim patjetër në këtë zonë dhe të shkruanim një libër të ri, me të dhëna më të reja”, theksoi Novik.
Libri kushtuar krahinës së Gollobordës në Shqipëri, sipas Novik, është një përmbledhje e pasur me shumë informacione mbi kulturën tradicionale të kësaj zone, ndërsa thekson se është një libër prej 8 autorësh.
“Libri përmban të dhënat për gjuhën shqipe në këtë zonë dhe për gjuhën sllave të popullsisë së Gollobordës. Ka edhe kapituj kushtuar veshjeve popullore, arkitekturës tradicionale të kësaj zone”, shton ai.
Kjo monografi përmban më shumë se 300 faqe dhe mbi 60 fotografi me ngjyra, të cilat pasqyrojnë vizualisht gjetjet e autorëve.
Për autorin Aleksandër Novik, zbulimet ishin mjaft interesante, pasi thotë se kanë gjetur ngjashmëri mes veshjeve shqiptare me ato sllave.
“Veshjet popullore kanë shumë ngjashmëri me veshjet e shqiptarëve të Shqipërisë së mesme, sepse këto veshje kanë ndikime shumë të mëdha nga veshjet osmane, nga veshjet orientale”, sqaron Novik.
Aleksandër Novik, i cili vjen në Kosovë dhe Shqipëri që nga viti 1990, është pjesë e Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, në kuadër të së cilit edhe do të promovohet monografia në fjalë.
Albanologu edhe kësaj radhe, tregon se ka sjellë për pjesëmarrësit një referim të pasur shkencor kushtuar miteve mortore dhe përkujtimore ndër banorët e fshatrave në rajonin e Rostovit.
Novik bën të ditur se “ka mësuar gjuhën shqipe në Rusi, në Universitetin Shtetëror të San Peterburgut. Në Fakultetin Filologjik ekziston dega e shqipes, dhe kam mbaruar në 92-ën degën e shqipes. Por, vij çdo vit këtu, në Kosovë dhe në Shqipëri për studimet e mia”.
Ndryshe, libri “Gollobordë (Golo Bordo) në Shqipëri” promovohet nesër në orën 11.00, në hapësirën e Fakultetit Filologjik në Prishtinë./KosovaPress