Loading...

Byroja e Hetimit do të shtrihet në qarqet kryesore të vendit. Të korruptuarit nuk do t’ia hedhin dot

Të korruptuarit në Shqipëri duket se nuk do vijojnë t’ia hedhin paq me ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Politika po zvarrit qëllimisht reformën, që këto dy organe të shtyhen sa më shumë të jetë e mundur. Kur ato të jenë plotësisht funksionale politika dhe drejtësia shqiptare duhet të dridhen. SPAK do të qëndrojë te godina aktuale e Krimeve të Rënda, ndërsa Byroja e Hetimit do jetë te godina e ish-Ministrisë së Shëndetësisë, ngjitur me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Siç raporton ”SOT” fokusi i Byrosë Kombëtare të Hetimti nuk do jenë vetëm pushtetarët e Tiranës, pasi në skaner do kalojë dhe pushteti vendor. Sapo të ngrihet njësia qendrore e BKH në Tiranë, më pas do ngrihen dhe disa degë të saj në qarqet kryesore të vendit, ku ka dyshime për krim të organizuar dhe rritje të korrupsionit. “Gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e kanë vendndodhjen në Tiranë dhe e ushtrojnë juridiksionin e tyre penal në të gjithë territorin e Shqipërisë. Byroja Kombëtare e Hetimit mund të krijojë zyra të përkohshme ose të përhershme jashtë Tiranës, për të përmbushur qëllimin e saj”, thuhet në nenin 10 të ligjit për luftën ndaj korrupsionit.

Trajnimet

Byroja Kombëtare e Hetimit do jetë një organ që do të kontrollohet nga ndërkombëtarët, por sidomos nga amerikanët. Sipas një raporti të publikuar nga EURALIUS, ekspertët e BE dhe SHBA kanë gati planin për ngritjen e SPAK. Po ashtu, janë përcaktuar pajisjet që do të instalohen aty, bashke me vlerën e secilës. Pajisjet do vijnë nga SHBA dhe BKH do jetë një institucion që do të operojë mbi bazën e hetimeve mbi metoda speciale. Por rolin më të madh aty do e kenë padyshim ekspertët. BKH do ketë ekspertë ligjorë, financierë, kontabilistë, ekspertë përgjimi, etj. Momentalisht SHBA ka nisur një proces trajnim pranë Akademisë së Sigurisë për shumë emra, që më pas ata të garojnë për në BKH. Të gjithë kandidatët do i nënshtrohen vetingut dhe po ashtu do u nënshtrohen trajnimeve të vazhdueshme. Pra sinjalet janë se SHBA e BE i kanë piketuar emrat kryesorë të BKH, por tani po pritet vetëm ngrija e KLGJ dhe e KLP, që i hap rrugë ngritjes së SPAK dhe të Byrosë.

Përbërja e BKH

Sipas ligjit, Byroja Kombëtare e Hetimit është një strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore, që vepron vetëm nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Drejtori, Zëvendësdrejtori dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit gëzojnë statusin e oficerit të Policisë Gjyqësore. Byroja Kombëtare e Hetimit përbëhet nga drejtori, zëvendësdrejtori, hetuesit dhe punonjësit e administratës. Ajo ka gjithashtu në përbërje të saj shërbime të Policisë Gjyqësore,të përbëra nga oficerë të Policisë Gjyqësore, nga Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera përkatëse, të cilët janë nën drejtimin administrativ të Zëvendësdrejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe nën varësi procedurale hetimore të Prokurorisë së Posaçme./korrieri

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com