Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje, falë bashkëpunimit Polici-Komunitet. Telefonata e qytetarit, si dhe reagimi në kohë i policisë çojnë në pranga 53 vjeçarin, i cili mbante armë zjarri pistoletë pa leje në banesë. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë TT dhe 93 copë fishekë. Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, u arrestua në flagrancë shtetasi Hasan Koltraka, 53 vjeç, banues në fshatin Arras-Dibër.
Arrestimi i tij u bë pasi një qytetar ka telefonuar Policinë se ky shtetas dyshohej se mbante armë zjarri pa leje, ku menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër kanë organizuar punën duke ushtruar kontroll në banesën e tij , ku kanë gjetur të fshehur një armë zjarri pistoletë TT, 3 krëhëra të mbushura me fishekë, dhe një kuti me 44 copë fishekë, gjithësej 65 copë fishekë pistolete.
Gjithashtu janë gjetur edhe 28 fishekë arme gjahu.
Arma e zjarrit sëbashku me municionin është sekuestruar në cilësinë e provës materiale .
Materialet proceduriale do ti referohen Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale ” Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/2/3 të Kodit Penal.