Bashkia e Tiranës, ashtu siç e ka bërë traditë tashmë prej tre vitesh në ditën e shenjtë të Kurban Bajramit, shtroi sot një drekë festive në të gjitha qendrat e saj sociale për disa dhjetëra familje në nevojë, të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuar.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, zgjodhi që ta uronte këtë festë, duke shërbyer drekën në mensën e re sociale të hapur në Njësinë nr. 4, pranë shkollës “Ardian Klosi”.
Kryebashkiaku Veliaj pasi uroi të pranishmit për festën, falënderoi të gjithë ata që këtë ditë feste për gjithë besimtarët myslimanë kanë vendosur që ta kalojnë me ata që janë në nevojë.
“Nuk mund të ketë vetëm bashkia monopol bamirësinë. Duhet ta ketë çdo institucion tjetër dhe më vjen mirë që xhamitë e Tiranës na janë bërë krah dhe siç kemi një mensë sociale këtu, kemi një tjetër në Laprakë, një në Kombinat, një në Shkozë, një tek Ura e Tabakëve, një tek Xhamia e Xhurës dhe më vjen mirë që kjo punë po ndahet me gjithë këta vëllezër e motra, sipas kontributit.”, – tha Veliaj.
Ndaj, ai nënvizoi se në ditë të tilla çdokush që ka mundësi duhet të tregojë solidaritet me më të dobëtit.
“Me dhënë mend është kollaj, me bë hartime kundër varfërisë është kollaj. Hajde shërbeni një vakt, bëj një bamirësi në lagjen tënde, në pallatin tënd, në shkallën tënde, te rrugica jote, se siç e di ti kush është fqinji që ka nevojë nuk mund ta dijë kurrë as shteti, as imami, as kryetari i bashkisë e askush tjetër. Ne vetëm dje kemi shpërndarë 2 mijë paketa mish në shumë nevojtarë, sidomos ata që janë në zonat e thella periferike aty ku ndoshta vuajtja ndihet edhe më shumë sesa këtu afër qendrës së Tiranës dhe për këtë u jam shumë mirënjohës. Secili sipas mundësive, secili sipas asaj që Zoti ka dhënë dhe secili sipas ndjenjës së vet të qytetarisë”, – u shpreh kryetari i bashkisë.
Kryebashkiaku shtoi se që të jesh një qytetar i mirë duhet të kujdesesh edhe për të tjerët edhe për atë që nuk është vetëm e jotja.
“Ne në Tiranë nuk na bën kryeqytetarë fakti si dukemi ose gjuha që flasim, na bën kryeqytetarë sjellja. Kur sillemi në si kryeqytetarë do të thotë që shohim përtej bahçes tonë, shohim edhe për nevojat e tjetrit, shohim edhe për dikë që është në ditën e vet të vuajtjes, edhe për dikë që është në ditën e vet të nevojës.”, – deklaroi Veliaj.
Ndërsa Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra falënderoi bashkinë e Tiranës për atë që bën për shtresat në nevojë. “Ndihem shumë i nderuar sot që ndajmë një dreke të veçantë të Bajramit por më shumë se ajo një qenie të mrekullueshme kur kryetari Veliaj nuk ka kursyer asgjë për të qenë në shërbimin tuaj.”, tha Ylli Gurra.
Më herët kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi selinë e Komunitetit Mysliman, ku i përcolli urimet e përzemërta kreut të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj dhe nëpërmjet medies gjithë besimtarëve myslimanë./atsh