“Fillimisht nuk e kupton çfarë ndjen sepse ishte shumë shi dhe zhurmë pastaj u bë edhe më shumë zhurmë nga shiu që binte dhe makina goditej bam bam bam. Vetëm më pas e kupton se xhamat janë thyer dhe makina nuk funksionon mirë. Jemi larguar disa metra për të ikur nga vendngjarja në mënyrë që të mos rrezikonim”.
Këto janë fjalët e Martijn Stolte, një anglez i cili u rrezikua bashkë me familjen e tij pas rënies së gureve në mjetin që po udhëtonin në rrugën e Komanit.
“Ishim duke udhëtuar në rrugë dhe kishte shumë reshje shiu. Papritur gurët nisin të binin në makinën tonë. Xhamat janë thyer dhe makina u dëmtua menjëherë. Fëmijët nisin të qajnë por ne ndaluam shpejt dhe falë Zotit asgjë s’kishte ndodhur dhe të gjithë jemi shumë mirë. Thjeshtë është dëmtuar makina. Unë isha me gruan dhe dy fëmijët 8 vjeç dhe 4 vjeç. As vetë nuk e di se çfarë kam përjetuar. Njerëzit e mrekullueshëm të Shqipërisë na ndihmuan shumë. Ata morën gruan time, dy fëmijët dhe i kanë dërguar në hotel dhe tani po çoj edhe makinën nëse do mund të rregullohet. Ndaluam dhe familja e parë që kemi takuar është një familje italiane. Shoferi shqiptar që po transportonte italianët mori fëmijët dhe gruan time”.
Familja angleze u përball me një situatë të frikshme.
“Për pak minuta kisha frikë sepse isha me fëmijët e vegjël. Jam me fat që dy fëmijët nuk janë dëmtuar asnjëri edhe pse unë kam disa gërvishtje të vogla. Është e vështirë për të treguar se sa gurë kanë rënë por besoj se 4 të mëdhenj dhe pastaj shumë tjerë të vegjël pa pushim kanë goditur makinën time”.
Martijn falenderon shqiptarët që e ndihmuan sepse ai ndodhej mes maleve pa ditur asnjë fjalë shqip.
“Isha në Tropojë në Valbonë, kalova një ditë shumë të bukur, vendi i pritjes i mrekullueshëm dhe më pas do shkoj në Ulëz dhe në Borsh. Është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Njerëzit janë shumë mikëpritës dhe të dashur. Kur na ndodhi kjo ngjarje të gjithë kërkonin të na ndihmonin dhe u ndjemë shumë mirë nga kjo sepse ne ishim në mes të maleve dhe nuk dimë asnjë fjalë shqip. Ishim me fat që asnjëri nuk u dëmtua, pavarësisht makinës dhe në krahasim me çfarë mund të kishte ndodhur vërtetë ishim me shumë fat sot. Nuk më intereson që është dëmtuar makina por më intereson që kemi shpëtuar, makina do rregullohet dhe do vijojmë rrugëtimin tonë në Shqipëri”.
Anglezi pas kësaj që përjetoi ka disa këshilla.
“Është e çuditshme sepse pasi ulesh nga trageti në Valbonë rruga është shumë e mirë por këtu në Koman është një rrugë çfarë të them, e çmendur, nuk e imagjinoja. Duhet të bëni dy gjëra, të rikonstruktoni rrugën dhe të sigurohen malet që të mos bien gurët. Tjetra është që njerëzit duhet të tregojnë që mund të ndodh kjo gjë dhe se në rast të shiut të rrëmbyeshëm nuk duhet lejuar kalimi”. /ShkodraNews