Loading...

Siguria ushqimore, AKU mbyll baxhon në Gjirokastër, tregtonte djath me myk

Inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në vazhdimësinë e kontrolleve në baxho konstatuan se shtetasi Edmond Zyba tregtonte nënproduktet e qumështit pa asnjë lloj etikete, si dhe në kushte të rënda higjeno-sanitare.

Nga ky kontroll, trupa inspektuese e DRAKU, Gjirokastër konstatoi se subjekti me aktivitet “Përpunim qumësht, Baxho” kryente veprimtari në kundërshtim me standardet e sigurisë ushqimore duke ruajtur produktin djathë në ambient frigoriferik me përmbajtje myku si dhe temperatura e trajtimit të qumështit nuk ishte në normat e lejuara.

Për sa më sipër u mor masë administrative gjobë 300.000 lekë , mbyllje të aktivitetit si dhe bllokim të sasisë së produktit 400kg djathë kaçkavall, 3200 kg djathë i bardhë dhe 60 kg gjizë, si dhe u morën mostra për analiza.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor (njësive të tregtimit e shërbimit) që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para – produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara dokumentacion të plotë veterinar e fiskal – pasi është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre.

Gjithashtu, inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka forcuar dhe shtrënguar akoma më shumë masat dhe kontrollet, nëpërmjet monitorimeve dhe sinjalizimeve në stabilimentet e produkteve të qumështit dhe nën produktet e tij, me qëllim sigurimin dhe garantimin e çdo produkti që tregtohet në vend./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com