Ai është një nga emrat më të përfolur në politik këto ditë të nxehta gushti. Shkak u bë arrestimi i tij në Greqi, ku kishte shkuar për pushime në Korfuz. Bëhet fjalë për Edmond Bego, i njohur si biznesmen që ka njohje me politikanë të niveleve të larta. 48-vjecari sipas njoftimit zyrtar të Policisë greke, ishte arrestuar për llogari të Italisë, pasi në sistem figuronte person në kërkim për organizatë kriminale e trafik narkotikësh.
Sipas komunikatës së shpërndarë pas arrestimit, 48-vjeçari kishte një pasaportë me emrin e ndryshuar në Mond Bega dhe me këtë dokument kishte kaluar nga Shqipëria në Korfuz. Por, ndërtuesi që u arrestua nuk është emër i panjohur për drejtësinë Shqiptare. Për të njëjtën çështje që e arrestoi Policia greke, ai është arrestuar edhe në vitin 2009, por pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, ndonëse në Itali ishte dënuar me 21 vjet burg, Bego u lirua për më pak se 3 vite burgim.
Sipas vendimit të Gjykatës, Manoli Bega, siç njihej nga pala shqiptare kur u arrestua, ishte dënuar në Torino në vitin 2008, me 21 vite burg për akuza të rënda. Policia e Tiranës njoftonte në atë kohë se personi i arrestuar ishte një nga njerëzit kyç të bandës së Lushnjës, që drejtohej nga Aldo Bare.
ARRESTIMI
NE 2009 Edmond Bego, i njohur si miku i Aldo Bares, u arrestua nga Policia e Tiranës më 24 dhjetor të vitit 2009. Ishin efektivët e Grupit të Operacioneve Speciale, i njohur si GOS, në atë kohë, ata që kryen arrestimin e tij. Bego nuk bëri asnjë rezistencë në momentin e ndalimit. Arrestimi i tij u krye në një prej restoranteve të shtrenjtë që ndodhej në rrugën “Dervish Hima”, pas stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”.
Lajmi u bë i ditur zyrtarisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, që pohonte se Bego ishte shpallur në kërkim nga Italia dhe njihej si një nga miqtë e afërt të Aldo Bares dhe Enver Dondollakut. Efektivët e Policisë i pohuan se për të kishte një vendim arresti të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë që kishte nisur për të procedurat e njohjes së vendimit Gjykatës së Apelit të Torinos që e kishte dënuar me 13 vite burgim bashkë me Enver Dondollakun dhe pjesëtarë të një grupi prej 26 personash, të cilësuar si anëtarë të organizatës së trafikut të drogës së drejtuar nga Aldo Bare (Alfred Shkurti).
BIZNESMENI
Hetuesit italianë kishin përgjuar biseda mes Edmond Begos dhe Aldo Bares gjatë viteve 2002-2005. Në bazë të përgjimeve, Antidroga italiane kishte arritur të kapte disa sasi narkotikësh, origjina e të cilave ishte laguna e Karavastasë. Emri i Begos përmendet disa herë, duke u cilësuar si një nga eksponentët më të rrezikshëm të krimit në fushën e narkotikëve në Itali. Edmond Bego, i njohur edhe me pseudonimin Mario, ka qenë edhe presidentit i “Sport Klub Lushnjës” deri në vitin 2005.
Kur u arrestua në vitin 2009 në Tiranë, ai mbante emrin Manoli Bega, por ka përdorur edhe emrat Saimir Sina dhe Belul Gjahtari. Ai është biznesmen në fushën e ndërtimeve në disa zona të njohura të Tiranës dhe ka në pronësi edhe një lokal në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa”. Burime nga Policia greke konfirmuan dje se Bego ndodhet ende në qeli dhe sot pritet të dalë para prokurorit që do të vendosë nëse do të mbahet në burg apo do të lirohet. Edhe pse avokatët e tij kanë dorëzuar si provë vendimin e Gjykatës së Lartë, sipas të cilit ai e ka përfunduar dënimin.
VENDIMI I GJYKATES
Gjykata e Lartë i konvertoi dënimin Edmond Begës, nga 21 vite burg që e kishte dënuar drejtësia italiane, në 4 vite e 4 muaj. Por, në qeli ka qëndruar shumë më pak, për shkak edhe të kohës së paraburgimit. Vendimi i Gjykatës së Lartë mban datën 15 shtator 2010, ku, sipas gjyqtarit Fatos Lulo, arsyetohet sesi dënimi me 21 vite ka zbritur në 14 vite, e më pas në Shqipëri me 7 vite, dhe në fund përfundon me 4 vite e 4 muaj./Panorama