Pasi për shumë gjatë u fol për lidhjen e Partisë Demokratike më një firmë lobuese ruse, tashmë duket se po dalin fakte konkrete për lidhjet e fshehta të një politikani shqiptar me Moskën. Pushtetari i lartë falë këtyre njohjeve duke se ka forcuar pozitat e tij.
Burime pranë shërbimeve informative bëjnë me dije se vetë këshilltari është po ashtu një emër i njohur. Ai ka mbajtur poste të larta në ministri dhe ka shërbyer si këshilltar i politikanit në fjalë në disa institucione për shumë vite. –raporton gazeta Sot.
Për arsye të sekretit shtetëror, gazeta po publikon sot vetëm inicialet e tij. Bëhet fjalë për një shtetas me iniciale R. G., i cili është mbajtur në përgjim për muaj e muaj me radhë.
Sipas burimeve, këshilltari dhe njerëz shumë të afërt të zyrtarit në fjalë, kanë kryer disa vizita në Moskë dhe kanë takuar përfaqësues të Dumës ruse, por dhe këshilltarë dhe njerëz shumë pranë Presidentit Putin.
Të gjitha këto lëvizje janë dokumentuar nga shtetet partnere, të cilat përveç përgjimeve telefonike, kanë mbajtur dhe në mbikëqyrje personin në fjalë. Këshilltari duket se lidhjet me Moskën i ka vendosur kohë më parë, pasi ka mbajtur poste dhe në institucione diplomatike.
Qëllimi kryesor i tij dhe i politikanit që fshihej pas tij, ishte që të sillnin në Shqipëri një grup të madh biznesmenësh rusë, por dhe të forconin pozitat e disa biznesmenëve të tjerë në Tiranë, që kanë lidhje me Moskën.
Me kalimin e muajve biznesmenët që kanë pasur lidhje me politikanin në fjalë janë ç’propozuar prej tij dhe kanë nisur të bëjnë për vete eksponentë të tjerë të politikës shqiptare. Në bazë të përgjimeve që janë kryer nga shërbimet inteligjente vendase në bashkëpunim me ato partnere, rezulton se një biznesmen i lidhur me rusët, me iniciale P. A., ka pasur kontakte me një përfaqësues të Partisë Socialiste. Bëhet fjalë për një shtetas me iniciale A. A., i cili është bërë për vete nga biznesmeni në fjalë.
Falë lidhjeve me Moskën, ky biznesmen po teton madje të kandidojë dhe për deputet, pasi po nxitet nga qarqe ruse. Ndërkohë, politikani i lartë ka vijuar kontakte me përfaqësues të ndryshëm të ambasadës dhe qeverisë ruse, për të forcuar pozitat e tij në politikë./CNA