Loading...

Italiani që jeton prej dy vitesh në Shkodër: Mikja që humba nga shembja e urës, ka gisht politika

Ajo ishte një prej 43 viktimave që humbën jetën nga rrënojat e urës “Morandi” në Genova të Italisë. Elisa Bozzo ashtu si shumë të tjerë atë mëngjes po shkonte për në punë. 34-vjeçarja po kalonte me makinë në momentin e shembjes së urës “Morandi”. Davide Malinarich është një nga miqtë e Elisës, i cili prej dy vitesh jeton me familjen e tij në Shkodër. Italiani tregon mes dhimbjes njohjen që kishte me vajzën e këndshme dhe familjen e saj përpara se të shpërngulej nga Italia.

“Xhenova është një vend i vogël në Itali. Ne të gjithë atje e njohim njëritjetrin. Unë e kam njohur Elisën, ajo është një vajzë 34- vjeçare, e cila humbi jetën e saj në një moshë shumë të re. Njoh edhe familjen e saj dhe kemi një rreth të përbashkët. Ishte një vajzë e mrekullueshme dhe një familje e mrekullueshme.

Elisa, në jetën e saj, ka bërë disa punë të ndryshme. Edhe atë ditë në atë urë të mallkuar ajo po shkonte në punë, si shumë të tjerë, dhe fatkeqësisht humbi jetën. Kur kam marrë vesh lajmin, jam ndjerë shumë keq, jo vetëm për miken time, por edhe për të gjithë ata që humbën jetën në këtë tragjedi”, tregon Davide.

Për të, një tragjedi e tillë në vendin e tij është si të përplasesh pas murit, ndërsa ka një mesazh për të gjitha familjet që humbën të dashurit e tyre. “Kam një mesazh ngushëllimi për të gjitha ato familje që humbën personat e tyre të dashur”, thotë italiani. “Ne njihemi si një qytet që kemi pranë detin dhe na kanë cilësuar si qytet mbretërish. Ashtu siç kemi përballuar stuhitë e detit, ashtu duhet të përballojmë edhe këtë tragjedi.

Për ne që jemi spostuar në shtete të tjera, lajmet e mira vijnë me shumë vonesë, ndërsa lajmi i keq vjen shumë shpejt. Ashtu si gjithë të tjerët, unë ndihem shumë keq”. Italiani që jeton në Shkodër shton më tej se si një njohës i mirë i Xhenovës, ura “Morandi” gjithnjë ishte një rrezik për qytetin. Për të aty ka gisht politika.

“Të shumtë kanë qenë ata njerëz që kanë thënë se ura është e rrezikshme, ashtu siç të shumtë kanë qenë ata që kanë thënë se nuk është e rrezikshme”, tregon Davide. “Duke marrë parasysh se shteti ka ndërtuar një urë mbi shtëpitë, normalisht që ka qenë shumë e rrezikshme. Shpresoj që shteti të marrë mësimin e duhur sepse janë dëmtuar edhe 700 shtëpi. Një shprehje e vjetër thotë se kush gabon, edhe paguan, dhe shpresoj që shteti të bëjë gjënë e duhur”, përfundon italiani, ndërsa ndjen një dhimbje të madhe për atë që ka ndodhur në qytetin e tij./Panorama

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com