Në Portin e Vlorës ka mbërritur anija flamurtare e grupit të gatshëm minaheqës të NATO-s. Anija do të qëndrojë në port për tre ditë deri në datën 20 gusht.
Sipas zyrtarëve të portit të Vlorës, anija flamurtare e grupit të gatshëm minaheqëse të NATO-s “FGS RHEIN” SNMCMG-2, ka mbërritur në portin e Vlorës ku do të zhvillojë një vizitë portuale tre ditore ndërmjet datave 17-20 gusht.
SNMCMG2 vepron si një njësi integrale e NATO-s dhe merr pjesë në stërvitje të përbashkëta ose kryen misione dhe operacione në gjithë botën. Është kryesisht e angazhuar në rajonin e Mesdheut, por kjo njësi është në dispozicion kudo ku NATO e kërkon atë për t’u dislokuar ose për të kryer operacione. SNMCMG2 normalisht përbëhet nga tetë dragamina (minaheqëse, minakërkuese) dhe një anije mbështetëse (ndihmuese) nga vendet anëtare të NATO-s si Belgjika, Gjermania, Greqia, Italia, Spanja, Turqia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara. /atsh